Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“ZËRI I LIRISË”, KONCERT NË SALLËN E UNIVERSITETIT TË ARTEVE

 “Zëri i Lirisë” titullohet koncerti, që do të mbahet në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve sonte në orën 18:00. Koncerti do të sjellë në skenë korin “Musica Oeconomica Pragensis” dhe Korin e Studentëve te Fakultetit të Muzikës drejtuar nga dirigjenti Bujar Alliu. Ky aktivitet organizohet në “Ditën Nderkombëtare të Studentëve”, si dhe të “Ditës Kombëtare Çeke e Slovake për Liri e Demokraci”.

2. “AMOUR”, SHFAQJE TEATRORE NË SKENËN E “BYLIS” NË FIER

“Amour” është pjesa teatrore, që do të shfaqet në teatrin “Bylis” në Fier sot dhe nesër në orën 18:00. Shfaqja vjen me regjinë e Besmir Bitrakut dhe në të interpretojnë Luiza Xhuvani, Myzafer Zifla, Elia Zaharia, Xhuljano Brisku e Stela Bello.

3. VERË DHE VARGJE POETIKE NGA FLUTURA AÇKA NË SHKODËR

“Venë e vargje n’Odë” me Flutura Açkën është aktiviteti që do të mbahet te “Oda” në Shkodër mbrëmjen e sotme në orën 19:00.

4. JAVA KROATE E KULTURËS, FILM NË QENDRËN E ARTIT “AGIMI”

“A Blue Flower” është filmi që do të shfaqet nesër në orën 20:00 në Qendrën e Artit “Agimi”  në Tiranë në kuadër të Javës Kulturore Kroate.

5. MASTERCLASS PËR MUZIKËN E DHOMËS NGA TEEMU KUPIANEN

Masterclass në muzikë dhome nga Teemu Kupianen do të mbahet nga nesër deri në 20 nëntor në Universitetin e Arteve në Tiranë.

6. KONCERT OPERISTIK I ARTISTËVE SHQIPTARË E KROATË NË TKOB

 “Opera Friendship Concert” do të mbahet sot në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në kuadër të Javës Kulturore Kroate. Koncerti bashkon muzikën, kulturën dhe miqësinë mes dy vendeve dhe vjen nën drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi, me solistë nga Shqipëria dhe Kroacia.

7. “GJURMË PENELATASH”, EKSPOZITË NË GALERINË “NIKOLET VASIA”

 “Gjurmë penelatash” është ekspozita nga Arben Kristani, që po vijon të qëndrojë e çelur në galerinë “Nikolet Vasia” në Durrës.

8. “LIMITLESS”, EKSPOZITË E XHELSINA PETRITAJ NË KORÇË

 “Limitless” është ekspozita nga Xhelsina Petritaj, që po vijon të qëndrojë e çelur galeria e artit “Guri Madhi” në Korçë.