Trashëgimia gjenetike e njeriut, jo edhe aq e vështirë për tu ndryshuar. Në një studim mbi metabolizmin qelizor, kërkuesit në Institutin Karolinska kanë gjetur se meshkujt e femrat që bëjnë një jetë sedentare, nëse u nënshtrohen ushtrimeve fizike, ndryshojnë ADN-në e tyre, brenda disa minutash. Renditja e bazave të ADN-së qëndron e pandryshuar, por molekulat e ADN-së në qelizat muskulore pësojnë ndryshime kimike dhe strukturore të veçanta, duke fituar ose humbur grupe metilike në sekuenca të njohura të ADN-së. Këto modifikime të ashtuquajtura epigjenetike (meqë nuk e ndryshojnë sekuencën e bazave të ADN-së), në segmente të mirëpërcaktuara të ADN-së, duket se luajnë rol të rëndësishëm në përfitimet e organizmit prej ushtrimeve fizike. “Muskujt tanë varen nga puna fizike që bëjmë”, thotë Juleen Zierath, profesore në institut. “Ne shpesh themi se ‘Njeriu është çfarë ai ha.’ Muskujt janë puna që ne bëjmë. Nëse muskujt nuk punojnë, ata ‘’treten’’. Ky është një ndër mekanizmat që shpjegon si ndodh ky proces.” Studimi tregon se ADN-ja e muskulit, e marrë menjëhere pas një ushtrimi fizik prej njeriut, përmban më pak grupe metilike se përpara ushtrimit. Grupet metil humbin në ato pjesë të ADN-së të cilat dihet se janë vend-veprimi i enzimave të njohura si faktrorë transkriptimi, enzimat që janë përgjegjëse për aktivizimin e gjeneve të rëndësishëm për përshtatjen e muskulit ndaj ushtrimeve. Sipas Juleen Zierath faktorët e transkriptimit janë çelësi për të aktivizuar gjenet. Nëse grupet metil janë të lidhura me ADN-në, gjenet e ndodhura aty nuk mund të aktivizohen. Por kur grupet metil largohen, gjenet aktivizohen dhe kapaciteti i muskujve rritet së tepërmi. “Dihet se ushtrimet fizike induktojnë ndryshime në muskuj, përfshirë rritjen e metabolizmit të sheqernave dhe yndyrnave”, thotë Zierath, “Zbulimi ynë është se ndryshimet në ADN ndodhin të parat.” Humbja e grupeve metilike është vënë re edhe në kontraksionet e provokuara të muskujve në kushte laboratorike. Ekspozimi i muskujve ndaj kafeinës ka të njejtin efekt, sepse kafeina nxit çlirimin e kalçiumit në qelizat muskulore. Çlirimi i kalçiumit ndodh edhe kur muskuli tkurret. Megjithatë kërkuesit nuk rekomandojnë të pini një kafe në vend të stërvitjes, sepse kafeina nuk dihet nëse ka efektet e tjera pozitive të stërvitjes. “Ushtrimi është ilaç, dhe mesa duket epigjenet e një shëndeti më të mirë mund të jenë vetëm një vrap larg nesh”, thotë Juleen Zierath.(xh.k/shqiptarja.com)