Vatrat e zjarrit nuk dinë të ndalen në këto ditë të nxehta vere. Një vatër e fuqishme zjarri është aktivizuar në Mamurras. Zjarri sipas banorëve rrezikon edhe banesat. Zjarrfikëset ndodhen në vendin e ngjarjes.

Situata me zjarrin në Mamurras te Kurbinit vijon të jetë mjaft e vështirë. Flakët po përparojnë, të favorizuara edhe nga temperaturat e larta. Aktualisht në lagjen “Demokracia” në Mamurras, zjarri po vijon të përhapet në sipërfaqe me pisha e shkurre. Ndërkohë mësohet se në zonën e Mamurrasit ka edhe një vatër tjetër në fshatin Shpërdhet. Forcat zjarrfikëse po punojnë për të bërë të mundur shuarjen e tyre. Nga zjarri janë 5 banesa që rrezikohen, ndërsa janë dy zjarrëfikëse që po mundohen për vënine nën kontroll të flakëve. Deri tani, rreth 10 hektar pyll janë në flakë, dhe zjarri po përparon drejt banesave.

Në lidhje me dy vatrat e zjarri në Mamurras, ka reaguar edhe ministri i mbrojtjes Niko Pelshi i cili shkruan se zjarri në këtë zonë është kritike, ndërsa nuk shpjegon ende se pse nuk ndërhyjnë helikopterët nga ajri për të shuar zjarrin. Ministri njofton se aktualisht në të gjithë vendin janë aktive 5 vatra zjarri

“Aktualisht strukturat e mbrojtjes civile janë duke u përballur me flakët në 5 vatra zjarri, ku më kritiket ngelen ato të Karaburunit dhe Kurbinit. Ndërkohë gjatë ditës së sotme në Qendrën e Emergjencave Civile janë lajmëruar me dhjetëra vatra. Koordinimi dhe ndërhyrja e menjëhershme e strukturave të emergjencave civile në nivel vendor dhe qendror ka bërë të mundur neutralizimin e tyre pa cenuar pasuritë natyrore apo zona të banuara.Bashkëpunimi me komunitetin për parandalimin apo lajmërimin e hershëm të situatave të zjarreve është jetik për të limituar pasojat e temperaturave të larta të këtyre ditëve”, shkruan Peleshi.