OSHEE Group vijon të mbështesë klientët me detyrime të prapambetura të energjisë elektrike përmes skemës së aktmarrëveshjeve, e cila u jep mundësinë të shlyejnë borxhet me këste ose të përfitojnë ulje të kamatëvonesës nëse i likuidojnë menjëherë.

Sipas të dhënave të kompanisë, deri tani janë lidhur 4 095 aktmarrëveshje me Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU). Prej tyre, 2 818 klientë familjarë dhe jofamiljarë, ose 68.8%, kanë shlyer të gjithë detyrimin me një këst të vetëm, duke përfituar reduktim të kamatëvonesës sipas kategorisë përkatëse.

Nga 2 893 aktmarrëveshjet e lidhura me klientët familjarë, 1 928 kanë zgjedhur të paguajnë menjëherë detyrimin dhe kanë përfituar ulje 70% të kamatëvonesës, ndërsa 965 të tjerë po i shlyejnë detyrimet me këste.

Ndërkohë, 1 202 aktmarrëveshje janë firmosur nga klientët jofamiljarë, ku përfshihen institucionet buxhetore dhe jobuxhetore, si edhe bizneset e vogla dhe të mëdha.

Skema përfshin të gjitha kategoritë e klientëve me detyrime të krijuara deri më 31 dhjetor 2024. Ndërsa për familjet me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë, aktmarrëveshjet mund të lidhen edhe për detyrimet e krijuara gjatë vitit 2025. Për këto kategori, kësti minimal është 1 200 lekë në muaj dhe pagesa mund të shtrihet deri në 240 këste, me kusht që të mos krijohen detyrime të reja të papaguara gjatë vitit 2026.

Për klientët buxhetorë, jobuxhetorë dhe bizneset, numri i kësteve varion nga 24 deri në 120, në varësi të vlerës së detyrimit.

OSHEE Group ka miratuar edhe një skemë të veçantë për faturat korrektive, përmbledhëse dhe sistemuese, si edhe për rastet që lidhen me demontimin ose testimin e matësit dhe energjinë e akumuluar në matës. Këto detyrime mund të shlyhen deri në 24 këste, ndërsa klientët që zgjedhin t'i likuidojnë menjëherë përfitojnë gjithashtu ulje të kamatëvonesës.

Sipas skemës lehtësuese, klientët familjarë përfitojnë reduktim 70% të kamatëvonesës, klientët jofamiljarë 50%, ndërsa biznesi i vogël përfiton falje të plotë, 100%, të kamatëvonesës në rast se shlyen të gjithë detyrimin me një pagesë të vetme. Sipas OSHEE-së, qëllimi i kësaj skeme është t'u krijojë klientëve më shumë mundësi për të mbyllur detyrimet e prapambetura me kosto më të ulët.