Aktori i njohur George Clooney i ka bërë thirrje presidentit Joe Biden të heqë dorë nga gara presidenciale në SHBA.
Aktori i Hollivudit tha se presidenti ka fituar shumë beteja në karrierën e tij, “por e vetmja betejë që ai nuk mund ta fitojë, ishte lufta kundër kohës”.
Komentet e tij erdhën disa orë pasi Pelosi, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, iu bashkua shqetësimit në rritje në parti, duke thënë se koha “po mbaronte” që Biden të vendoste nëse do të qëndronte në garën kundër Donald Trump pas një debati katastrofik në fund të muajit të kaluar.
Clooney shkroi në The New York Times se ishte e vështirë për tu thënë, por Biden që takoi në një ngjarje për mbledhjen e fondeve tre javë më parë nuk ishte” Biden i vitit 2010, e as i 2020-ës.”
Clooney shtoi se shqetësimet e tij përputheshin me të çdo anëtari të Kongresit me të cilin kishte folur.
Mospajtimi publik, vazhdon të rritet brenda partisë së Biden, ndërsa ai përballet me shqyrtimin gjatë pritjes së samitit të NATO-s në Washington.