Trupat e Forcës së Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë hyrë në Liban pasi Hezbollahu njoftoi se ka goditur tri prej bazave. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, thotë se ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu “kanë autorizuar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit të avancojnë dhe të marrin në kontroll zona strategjike shtesë në Liban për të parandaluar zjarrin mbi komunitetet izraelite në kufi”.
Ushtria izraelite ka nisur sulme të reja në agim ndaj Teheranit dhe Bejrutit dhe ka lëshuar paralajmërime për evakuim për disa rajone të Libanit jugor.
Ambasada e SHBA-ve në Riad është goditur nga dy dronë, dhe mediat shtetërore iraniane thonë se një ndërtesë komande dhe stafi në një bazë ajrore amerikane në Bahrein është shkatërruar.
Trump tha për NewsNation se SHBA-të do të kundërpërgjigjen “së shpejti” për sulmin ndaj ambasadës dhe për vdekjen e personelit amerikan. Gjashtë persona janë vrarë deri më tani, ndërsa 18 janë plagosur.
Presidenti Donald Trump ka përdorur gjithashtu platformën Truth Social për të komentuar mbi rezervat amerikane të municioneve të “nivelit mesatar dhe mesatar të lartë”, duke shtuar se luftërat “mund të vazhdojmë ‘përgjithmonë’… duke përdorur vetëm këto furnizime”.
“Kemi një furnizim pothuajse të pakufizuar me këto armë. Shtetet e Bashkuara janë të pajisura dhe gati për të fituar, shumë!!!” shkroi Trump. Ai nuk kurseu as ish-presidentin Biden duke thënë se i ka dhënë Ukrainës “shumë prej armëve super të avancuara” të SHBA-ve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, thotë se “goditjet më të rënda” ndaj Iranit “s’kanë ndodhur ende”, duke shtuar se nuk do të “zbulojë detaje të përpjekjeve tona taktike”.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbrojtur sulmet ushtarake izraelite ndaj Iranit, duke pretenduar se zgjerimi i fundit bërthamor i Teheranit do të ishte bërë “i paprekshëm brenda disa muajsh” para ndërhyrjes së Izraelit. “Nëse nuk do të ndërmerrej veprim tani, nuk do të mund të ndërmerrej asnjë veprim në të ardhmen”, tha ai.
Pallati historik Golestan në Teheran, i cili është i listuar si Vend i Trashëgimisë Botërore nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), është dëmtuar pas sulmeve amerikano-izraelite. UNESCO ka shprehur shqetësim për mbrojtjen e vendeve të trashëgimisë
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thonë gjithashtu se kanë vënë në shënjestër kompleksin e televizionit shtetëror iranian.
“Ushtria izraelite shënjestroi kompleksin e IRIB-it të Republikës Islamike, zemra e makinerisë së gënjeshtrave dhe shtypjes së IRGC-së,” thuhet në një postim në llogarinë e IDF në X.
Departamenti i Shtetit i SHBA-ve u ka bërë thirrje amerikanëve në Lindjen e Mesme që të largohen menjëherë. Konkretisht bëhet fjalë për amerikanët që jetojnë në Bahrein, Egjipt, Iran, Irak, Izrael, Bregun Perëndimor, Gaza, Jordani, Kuvajt, Liban, Oman, Katar, Arabinë Saudite, Siri, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemen.
Kjo vjen pasi Donald Trump tha se mori vendimin për të nisur luftë kundër vendit sepse ishte “mundësia e fundit dhe më e mirë” për të ndalur regjimin e tij. SHBA-të dhe Izraeli goditën Iranin të shtunën, duke vrarë Udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Ushtria izraelite ka nisur që atëherë sulme të reja ndaj Teheranit.

Trupat e Forcës së Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë hyrë në Liban.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, thotë se ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu “kanë autorizuar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit të avancojnë dhe të marrin në kontroll zona strategjike shtesë në Liban për të parandaluar zjarrin mbi komunitetet izraelite në kufi”.
“IDF vazhdon të veprojë fuqishëm kundër objektivave të Hezbollahut në Liban. Organizata terroriste po paguan dhe do të vazhdojë të paguajë një çmim të lartë për sulmet e saj kundër Izraelit”, tha ai.
Katz shton se Izraeli është i vendosur të “mbrojë komunitetet në kufi”, duke thënë: “U premtuam siguri komuniteteve të Galilesë, dhe këtë do të realizojmë.”
Hezbollahu njoftoi se ka goditur bazën Nafah në Alpet e Golanit me një “breshëri të madhe raketash”, si dhe bazat ajrore Meron dhe Ramat David në veri të Izraelit, me dronë.

Në një intervistë për Fox News, Benjamin Netanyahu thotë se sulmet ndaj Iranit nisën për shkak se kishin nisur ndërtimin e objekteve të reja bërthamore.
“Arsyeja pse duhej të vepronim tani është sepse, pasi goditëm objektet e tyre bërthamore dhe programin e tyre të raketave balistike… ata filluan të ndërtonin objekte të reja… bunkerë nëntokësorë që do të bënin programin e tyre të raketave balistike dhe programin e tyre të bombave atomike imunë ndaj ndërhyrjes brenda disa muajsh,” tha kryeministri i Izraelit. “Nëse nuk veprohej tani, nuk do të mund të veprohej në të ardhmen,” shtoi ai.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, dhe ai saudit, Faisal bin Farhan Al Saud, kanë kërkuar përfundimin e menjëhershëm të luftës në Lindjen e Mesme. “Ministrat”, thuhet në një njoftim, “shkëmbyen mendime për situatën në Iran përmes një bisede telefonike pas agresionit të SHBA-ve dhe Izraelit”.
Rusia dhe Arabia Saudite kërkojnë “përfundimin e menjëhershëm të çdo lufte dhe masa urgjente për të parandaluar sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, si në Iran ashtu edhe në vendet fqinje”.
Palët gjithashtu kanë njohur “pasojat e paparashikueshme që mund të ketë eskalimi pa precedent i konfliktit për të gjithë rajonin” dhe “kanë shprehur shqetësim për rreziqet që vendet e treta, kryesisht shtetet arabe të Gjirit Persik, të përfshihen në konflikt”.
Presidenti Donald Trump ka përdorur platformën Truth Social për të komentuar mbi rezervat amerikane të municioneve të “nivelit mesatar dhe mesatar të lartë”, duke shtuar se luftërat “mund të zhvillohen ‘përgjithmonë’… duke përdorur vetëm këto furnizime”.
“Kemi një furnizim pothuajse të pakufizuar me këto armë. Shtetet e Bashkuara janë të pajisura dhe gati për të fituar, shumë!!!” shkroi Trump.
Në deklaratat e tij më të fundit, ai akuzon gjithashtu paraardhësin e tij, Joe Biden, se i ka dhënë Ukrainës “shumë armë super të avancuara” të SHBA-ve.
Në fund të mandatit të tij katërvjeçar, Biden i kishte lejuar Ukrainës të përdorte raketat e fuqishme me rreze të gjatë ATACMS, të afta për të goditur deri në 300 kilometra.

Imazhe të reja satelitore të analizuara nga BBC Verify tregojnë dëme në një rafineri të madhe nafte në Arabinë Saudite pas sulmeve me dronë. Imazhet tregojnë zjarr dhe djegie rreth kullave të ftohjes në zonën qendrore të rafinerisë, e cila ndodhet në qytetin lindor Ras Tanura.
Zona përbëhet nga një seri tubacionesh që lidhin njësitë e ndryshme të magazinimit me molin qendror të objektit, i cili zakonisht është në gjendje të furnizojë njëkohësisht katër cisterna. Objekti ka një kapacitet prodhimi prej 550,000 fuçish në ditë.
Kompania e naftës Aramco njoftoi sot se u detyrua ta mbyllë përkohësisht rafinerinë për shkak të sulmit.

Sulmet iraniane kanë shkatërruar selinë kryesore të një baze ajrore amerikane në Bahrein. Valë raketash kanë shpërthyer objektivat e tyre në distancë dhe kanë shkaktuar shpërthimin e depozitave të karburantit.
Por Donald Trump nuk është i shqetësuar për sulmet iraniane ndaj bazave amerikane në rajon apo për veprime të mundshme në territorin amerikan. “Jo, është pjesë e luftës, është pjesë e luftës, të na pëlqejë apo jo, kështu funksionon,” tha presidenti amerikan për NewsNation.

Ambasada e SHBA-ve në Kuvajt është mbyllur “deri në njoftim të dytë”, sipas një postimi në llogarinë e saj në X, duke përmendur “tensionet e vazhdueshme rajonale”.
Ambasada njofton se “kemi anuluar të gjitha takimet konsullore të rregullta dhe emergjente”.
Komente











