Aktorja ​Streep "tone therëse" për
presidentin Trump në 'Golden Globe'

Aktorja ​Streep presidentin Trump në 'Golden Globe'">
Aktorja Meryl Streep mbajti një fjalim emocionues në ceremoninë e Golden Globes, në të cilin kritikoi Donald Trump për përqeshjen e një reporteri të paaftë fizikisht gjatë fushatës elektorale, duke thënë se kjo “u jep leje” të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë.
 
Streep foli pasi mori çmimin “Cecil B DeMille”, i cili jepet nga Shoqata e Shtypit të Huaj në Hollywood për kontribut të veçantë në botën e spektaklit. Kritika e aktores ishte për rastin e reporterit të New York Times, të cilin Trump e përqeshi.
 
“Ishte një shfaqje gjatë këtij viti (2016) që më ka shtangur”, tha Streep. “Jo se ishte e mirë, sepse nuk pati asgjë të mirë tek ajo, por sepse ishte efektive dhe e bëri punën e saj. Ishte momenti kur personi që synonte të ulej në karrigen më të respektuar të këtij vendi përqeshi një reporter të paaftë fizikisht. Dikë që ai e linte pas në privilegje, pushtet dhe në kapacitetin për t’u kundërpërgjigjur. Më theu zemrën kur e pashë dhe ende nuk më hiqet nga mendja, sepse nuk ishte film, por jetë reale”.
 
Para një audience yjesh të shtangur, Meryl Streep vazhdoi duke thënë se veprimet e presidentit të zgjedhur legalizojnë dhunën.
 
“Ky instinkt për të poshtëruar, kur prezantohet nga një person publik, nga dikush i fuqishëm, ndikon në jetën e gjithkujt, sepse në një farë mënyre u jep leje të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë. Mungesa e respektit sjell mungesë respekti. Kur i fuqishmi përdor pozitën e vet për të dhunuar të tjerët, humbasim të gjithë”.
 
Nga ana e tij, Trump iu përgjigj fjalimit të Meryl Streep duke thënë se, ndonëse nuk e kishte ndjekur, ai nuk ishte habitur nga sulmet e ardhura nga “liberalët e filmave”.
 
Ai deklaroi për New York Times se nuk e kishte përqeshur Kovaleskin. “Nuk ishte tallje. Po vija në pikëpyetje një reporter, i cili ishte nervozuar ngaqë kishte ndryshuar lajmin. Njerëzit vazhdojnë të thonë se përqesha paaftësinë fizike të tij, sikur Meryl Streep e të tjerët janë në gjendje të më lexojnë mendjen, por nuk e kam bërë një gjë të tillë”.

Trump reagoi në Twitter pas sulmit të aktores Meryl Streep.

“Meryl Streep, një nga aktoret më te mbivlerësuara në Hollywood, nuk më njeh mua, por më sulmoi mbrëmë në ‘Golden Globes’. Ajo është një shërbëtore e Hillaryt që humbi thellë”, tha Trump.

d.i./Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës