Autoriteti Kombëtar i Ushqimit gjatë muajit nëntor 2026 ka refuzuar në kufi 3 ngarkesa, 2 në Pikën Kufitare Durrës dhe 1 në Morinë.

Në Durrës, thotë AKU, janë bllokuar dy ngarkesa me 54 ton mish pule, dhe është marrë vendimi për kthimin e tyre në vendin e origjinës në Brazil.

Vendimi për kthimin në vendin e origjinës së këtyre dy ngarkesave të importuara nga subjekti ZICO sh.a është marrë, pasi ka rezultuar se të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përkojnë me të dhënat në sistem. 

Kompania ZICO sh.a, rezulton në pronësi të Trifon Murataj të “Bana King”, kompani që ka në qendër të vëmendjes edhe më herët. Në shkurt të vitit 2022, në një prej kontejnerëve të importuar nga “Bana King” u sekuestrua kokainë.

Në këtë muaj AKU ka refuzuar në kufi edhe një ngarkesë në Morinë me 7 tonë “Miell gruri” dhe 18 ton me “Hime Gruri”. Produktet e importuara nga subjekti “Mirela Bërdufi” u kthyen në Kosovë për shkak se nuk lexohej data e prodhimit dhe e skadencës, dhe nuk posedonte fletë analize të Aflatoxinës.