Dy ngarkesa me 54 ton mish pule të importuar nga Brazili janë bllokuar në Pikën e Inspektimit Kufitar në Durrës, ndërsa një ngarkesë me 25 ton produkte gruri është refuzuar në PIK Morinë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë të ditur se ngarkesat do të kthehen në vendet e origjinës, pas problematikave të konstatuara gjatë verifikimit të dokumentacionit shoqërues.

Sipas njoftimit të AKU-së, dy ngarkesat me mish pule, të importuara nga subjekti ZICO sh.a. nga Republika Federative e Brazilit, janë bllokuar pasi të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përputheshin me të dhënat në sistem.

Ndërsa në PIK Morinë është refuzuar një ngarkesë e importuar nga subjekti “Mirela Bërdufi”, e përbërë nga 7 ton miell gruri të tipit 400 dhe 500, si dhe 18 ton produkt “Hime gruri”, me destinacion kthimin në Kosovë.

Sipas AKU-së, për produktet e kësaj ngarkese janë konstatuar mungesa të theksuara në dokumentacionin shoqërues. Në pjesën më të madhe të miellit të grurit nuk lexohej data e prodhimit dhe e skadencës, niveli i proteinave në ambalazh nuk përputhej me atë të dokumenteve, ndërsa mungonin numri LOT dhe fleta e analizës së aflatoksinës. Për produktin “Hime gruri” mungonte numri LOT në etiketa, duke mos mundësuar lidhjen e produktit me dokumentacionin shoqërues.

Në raportimin për muajin nëntor 2026, AKU bën me dije se në Pikat e Inspektimit Kufitar janë importuar gjithsej 5,277 ngarkesa, nga të cilat 1,276 me origjinë shtazore, 2,834 me origjinë joshtazore dhe 1,167 ngarkesa me produkte të mbrojtjes së bimëve dhe inpute bujqësore (MBIB).

Gjatë kësaj periudhe janë marrë gjithsej 167 mostra, nga analizimi i të cilave nuk kanë rezultuar raste jokonforme deri më tani. Në total, janë evidentuar tri ngarkesa të refuzuara në kufi, dy në PIK Durrës dhe një në PIK Morinë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se mbetet i angazhuar në garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.