Identifikimi i aflatoksinës, disa ditë më parë, tek qumështi i disa fermave, në zonën e Lushnjës, ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë ushqimore.
Kompanitë e mëdha, së pari Lufra, morën vendimin për ta ndaluar menjëherë grumbullimin dhe përpunimin e kësaj mase qumështi, shumë të dëmshëm për shëndetin.
Në përgjigjen zyrtare, drejtuar Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit, për sqarimin e situatës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, thekson se qumështi që rezulton me përmbajtje aflatoksine M1, mbi kufirin i përcaktuar në legjislacionin e Bashkimit Europian, i cili zbatohet edhe në Shqipëri, konsiderohet i pasigurt. Refuzimi i saj nga subjektet përpunuese përbën jo vetëm të drejtë, por edhe detyrim ligjor, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit.
“Në bazë të nenit 10 të Ligjit Nr. 9863, datë 28.01.2008 "Për Ushqimin", i ndryshuar, ushqimi konsiderohet i pasigurt kur është i dëmshëm për shendetin e njeriut dhe, si i tillë, nuk lejohet të nxirret në treg apo të përdoret për përpunim.
Neni 24 i po këtij ligji parashikon detyrimin e operatorit të biznesit ushqimor që, në rast se konstaton se një ushqim ose lëndë e parë nuk është në përputhje me kërkesat e sigurisë ushqimore, të ndërmarrë menjëherë masat për refuzimin, bllokimin dhe njoftimin e autoritetit kompetent.
AKU vlerëson angazhimin e industrisë së përpunimit të qumeshtit për zbatimin e standardeve të sigurisë ushqimore", thuhet në përgjigjen e AKU-së.
Përveç aflatoksinës, industria e përpunimit të qumështit është e detyruar, me ligj, të kryejë kontrolle rigoroze edhe për antibiotikët dhe nivelin e qelizave somatike, indikatorë kyç të cilësisë dhe sigurisë së produktit.
Fabrikat e mëdha, si Lufra, disponojnë kapacitete të avancuara monitorimi, përfshirë sisteme digjitale të kontrollit të temperaturës dhe higjienës, laboratorë të brendshëm për analiza të përditshme, si dhe certifikime ndërkombëtare të sigurisë ushqimore, si ISO 22000.
Këto investime, nuk lidhen vetëm me zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit, por mbi të gjitha me garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e interesit publik.









