Akuza: 37 vite burg 4 trafikantëve
shqiptarë, hashash drejt Greqisë

Akuza: 37 vite burg 4 trafikantëve<br />shqiptarë, hashash drejt Greqisë
TIRANË - Trafikuan 240 kg hashash drejt Greqisë Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 37 vite burg për 4 shqiptarë. Hetimet e përbashkëta të policisë greke në zonën e Kozanës dhe asaj shqiptare kanë bërë të mundur identifikimin e trafikantëve shqiptarë mes tyre Ergest Prifti, Fadil Demaj, Naim Maloku dhe Ezmir Jauri si dhe Gentian Dervishi ndaj të cilit zhvillohet ende procesi gjyqësorë.

Në pretencën për 37 vite burg prokuroria ka marrë parasysh dhe gjykimin e shkurtuar ndaj 4 shtetasve, ndërsa në total ky grup përbëhej nga 9 persona 8 shqiptarë dhe një grek. 

Kjo drogë sipas akuzës merrej në zonën e jugut të Shqipërisë e kryesisht në Lazarat, ndërsa shitej në Athinë për tregun e shumicës dhe trafikantët grek.

Tre shqiptarë të këtij grupi pas arrestimit më 8 prill të 2014 në Greqi janë dënuar atje. Nga deklarimet e të ndaluarve personi kyç në këtë trafik droge ka qenë shtetasi Fadil Demaj i cili siguronte drogën si dhe mjetet e transportit, që pasi i blinte jashtë vendit i targonte më pas me targa shqiptare.
 
Njoftimi zyrtar i Prokurorisë
Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin total prej 37 vitesh burgim për katër shtetas, të akuzuar se bashkë me katër shtetas të tjerë, të arrestuar dhe të dënuar në Greqi, janë pjesë e një grupi kriminal përgjegjës për trafikimin e një sasie prej rreth 240 kg lëndë narkotike canabbis sattiva nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, e cila është zbuluar pas një hetimi të përbashkët shqiptaro-grek në datë 08.04.2014 në zonën e Kozanës, në aksin Kapshticë-Athinë.
Në përfundim të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda cilëson fajtor dhe kërkon dënimin e shtetasve:
1.      Ergest Prifti
2.      Fadil Demaj
3.      Naim Maloku
4.      Ezmir Jauri (ky i fundit për moskallëzim krimi)

Gjykimi për këta 4 persona është zhvilluar me procedurë të shkurtuar, ndërkohë që për bashkëpunëtorin e tyre, shtetasin Gentian Dervishi, procesi po vijon me gjykim normal.
Këta persona, në bashkëpunim edhe me shtetasit Edmond Kabashi, Julian Bedollari, Erion Velo dhe Georgios Moysidis, të cilët u arrestuan dhe aktualisht janë dënuar në Greqi për këtë fakt penal, janë përgjegjës për sigurimin, transportin dhe trafikimin e 240 kilogramë lëndë narkotike, e cila, pas një bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe greke, u zbulua në një automjet në zonën e Kozanës, në aksin Kapshticë-Athinë, në datë 08.04.2014.

Fillimisht, pas një hetimi të nisur nga autoritetet shqiptare, u vunë në dijeni edhe autoritetet greke, të cilat arrestuan në flagrancë shtetasit që tashmë janë dënuar në Greqi dhe më tej u kryen veprimet e arrestimit për bashkëpunëtorët e tyre. Në përfundim të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda arriti të provojë skemën e trafikut dhe rolin e gjithësecilit prej tyre.

Sipas këtyre hetimeve, të nisura në bazë të referimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, shtetasi Fadil Demaj ishte i dyshuar se kryente veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, në bashkëpunim me shtetasin Edmond Kabashi, i cili jetonte në Greqi.

Në vijim të hetimit, rezultoi se shtetasit Gentian Dervishi dhe Ergest Prifti disponon një sasi lënde narkotike, të cilën synonin ta trafikonin drejt Greqisë. Këta dy shtetas siguruan një kamion tip “Steyr” me targa të huaja dhe kryen procedurat e targimit pranë autoriteteve shqiptare. Këta dy persona e dërguan mjetin në shtëpinë e shtetasit Naim Maloku, sipas porosisë së shtetasit Edmond Kabashi (i cili ishte në Shqipëri në atë kohë), ku gjendej sasia e lëndës narkotike, si edhe pajisjet për prerjen dhe paketimin e saj. Pasi e ngarkuan lëndën narkotike, mjeti, në dt. 07.04.2014, arriti të kalonte pikën kufitare të Kapshticës për në drejtim të territorit grek dhe në të udhëtonin shtetasit Edmond Kabashi dhe Julian Bedollari, të cilat do të bënin dorëzimin e lëndës në Athinë tek shtetasi shqiptar me banin në Greqi, Erion Velo.

Të gjitha këto veprime të asaj dite, si edhe të disa ditëve më parë, kanë qenë nën vëzhgimin e autoriteteve shqiptare, në kuadër të procedimit penal të nisur nga Prokuroria për Krime të Rënda, si edhe në bashkëpunim me autoritetet greke.

Në bazë të informacioneve të autoriteteve greke mbi vijimin e operacionit në territorin e tyre, rezulton se pas mbërritjes së mjetit “Styer” të nisur nga Shqipëria, saktësisht në vendin e quajtur “Parking 90” i cili ndodhet në Athinë/Greqi, në autostratën Selanik – Athinë, më datë 08.04.2014 rreth orës 08:30, janë afruar shtetasit Georgios Moysidis dhe Erion Velo, të cilët pasi janë takuar me shtetasit Edmond Kabashi dhe Julian Bedollari, kanë marrë kamionin për ta transportuar në një magazinë ku do të bëhej edhe shkarkimi i lëndës narkotike.

Pas ndërhyrjes së autoriteteve policore Greke, është bërë e mundur sekuestrimi i sasisë prej 239 kg e 689 gr kg lëndë narkotike marijuanë, e cila ishte fshehur në kamionin me targë AA 526 JB, si dhe arrestimi i shtetasve të sipërpërmendur.

Menjëherë pas këtij informacioni mbi veprimet e autoriteteve policore Greke, sekuestrimit të sasisë së lëndës narkotike dhe kapjes së personave nga autoritetet policore Greke, nga shërbimet e Policisë Shqiptare është bërë i mundur arrestimi i të pandehurve Gentjan Dervishi, Ergest Prifti, dhe Fadil Demaj. Gjithashtu është arrestuar dhe i pandehuri Ezmir Jauri, i cili ditën e ngjarjes ka qënë nën shoqërinë e të pandehurve dhe ka pasur dijeni lidhur me trafikimin e lëndës narkotike.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë