TIRANE- Akuzat për përfshirjen e ushtrisë në trafikun e drogës kanë mbetur vetëm në sallën e parlamentit dhe foltoret e partive politike, pasi asnjëri nga deputetët që ka bërë deklarata për trafik droge, nuk është paraqitur në prokurori për të dëshmuar. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme të cilat thanë se u është dërguar fletë-thirje disa prej deputetetëvë, por asnjëri prej tyre nuk është paraqitur në prokurori.

Edhe thirjes publike të bërë në media nga kryeprokurori Adriatik Llalla, për dorëzimin e provave në organin e akuzës, asnjë nga deputetët qoftë nga opozita dhe maxhoranca nuk kanë paraqitur asnjë provë, që do të shërbente si indicie për thellimin e hetimeve, lidhur me trafikun e drogës nga bazat ushtarake të Gjadrit.

Burime pranë akuzës thanë se përllogari të procedimit penal të rregjistruar kryesisht, kanë administruar shkresën e SHIU dhe të SHISH që flasin rreth dyshimeve për trafik droge në bazat ushtarake. Ndërkohë i është kërkuar drejtorive të policisë në qarkun e Lezhës, Lushnjës dhe Vlorës, informacion lidhur me praninë e avjonëve në datat e përmendura në shkresat e SHIU dhe SHISH. Ndërkohë informacion i është kërkuar dhe qëndrës së kontrollit të trafikut ajror.

Hetimi paralel
Ngritja e komisionit hetimor nga parlamenti, sipas burimeve të akuzës do të sjellë prishjen e dosjes hetimore, pasi provat e vleshme gjatë hetimit duhet të mbeten të fshehta dhe jo të jenë të hapura, siç zhvillohen mbledhjet e komisionit hetimor parlamentar. Sipas burimeve të akuzës, komisioni më tepër do prishë provat dhe dëmtojë hetimin se sa do ndërtojë një dosje konkrete dhe me persona të akuzuar konkretë. Sipas prokurorisë, hetimi ansjëherë nuk mund të kryhet publikisht, pasi askush nga të dyshuarit nuk bën lëvizje të gabuara. Hetimi i akuzave të për trafik droge kërkon dinamikë në teren dhe fshehtësi totale, pasi nuk mund të zbardhet dhe të provohet nga pyetja e dëshmitarëve në zyrat e hapura për publikun.

“Na jepni provat”
Disa ditë më parë kryeprokurori Adriatik Llalla ka shpjeguar se është vënë menjëherë në lëvizje pas një letre të dërguar nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Ai ka shpjeguar se kishte dëgjuar dhe deklaratat e deputetëve për trafik droge, ku në këtë rjet ishin përfshirë dhe forcat e ushtrisë. “Prej disa ditësh, deputetë të ndryshëm kanë ngritur akuza për trafikim të lëndëve narkotike nëpërmjet mjeteve të ushtrisë. Sipas tyre disponojnë fakte lidhur me këto dyshime, për deklaratat e tyre.

Jemi në fazën e verifikimeve paraprake”, ka deklaruar shefi i Prokurorisë Shqiptare. Më tej Llalla ka shtuar se: ”Prokuroria do iu kërkojë të gjithë deputetëve që kanë ngritur dyshime, lidhur me mundësitë e trafikimit të lëndëve narkotike me mjetet e ushtrisë, të paraqesin të gjitha faktet që disponojnë. Po kështu do t’u kërkohet të gjitha institucioneve të specializuara shtetërore, përfshi këtu SHIU, SHISH, Policisë së Shtetit, po ashtu gjej rastin të ftoj gjithkënd që mund të ketë informacion apo fakte lidhur me sa u përmend më sipër, është i mirëpritur t’i paraqesë ato pranë organit të akuzës”, pohoi Llalla.

Shkrimi u publikua sot 26 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)