Njësia hetimore Task-Forcë pranë prokurorisë së Tiranës është në pritje të një përgjigje zyrtare nga drejtuesit e misionit italian “Interforcë”, lidhur me mënyrën e futjes në territorin Shqiptar të aparaturës përgjuese “IMCI Catcher”.
 
Për llogari të hetimeve që tashmë kanë nisur, prokuroria e Tiranës i ka kërkuar drejtuesve të këtij misioni që të dorëzojnë pajisjen, e cila më pas do i nënshtrohet një sërë ekspertimeve për të mësuar nëse është përdorur ose jo nga ana e punonjësve të këtij misioni në Shqipëri.“Shqiptarja.com” ka mësuar se pajisja inteligjente është sjellë kohët e fundit nga Italia në Shqipëri.
 
Personi që mendohet se ka negociuar me krerët e policisë për sjelljen e kësaj pajisje mësohet të jetë kreu aktual i misionit “Interforcë” në Shqipëri, i cili ka zëvendësuar në këtë post një grua.
 
Gazeta mëson se bashkëshortja e kreut italian të misionit “Interforcë” zotëron në Itali një kompani që tregton pajisje elektronike për sigurinë, ku përfshihen kamera, pajisje përgjimi e aksesorë të tjerë të këtij lloji.
 
Nisur nga kjo situatë, mendohet se kreu i “Interforcës” ka lobuar dhe ka bërë marketing tek krerët e Policisë së Shtetit për të pranuar dhe provuar këtë pajisje në Shqipëri, fillimisht për qëllime trajnimi në Shkollën e Policisë dhe më pas mendohet se mund të kryhej blerja e saj nga e policisë.
 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com