TIRANË- “Partia Demokratike do të depozitojë nesër në Komisionin e Sigurisë kërkesën për seancë dëgjimore urgjente me Ministren e Mbrojtjes. Kështu u shpreh ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka në një deklaratë për mediat, ku akuzoi ministren Mimi Kodheli se po përdorë infrastrukturën e Ministrisë së Mbrojtjes për trafik droge. 

Në reagimin ndaj deklaratës së deputetit socialsit Besnik Baraj, Flamur Noka tha se, “ka 4 ditë që Ministrja e Mbrojtjes është zhdukur, dhe papritur del në skenë një ambjentalist. Ambjentalisti që doli sot nuk iu përgjigj pyetjeve të opozitës dhe të mbarë publikut tashmë, se a ka informacion Ministrja e Mbrojtjes për përfshirjen e institucionit që drejton në trafikun e drogës”.

Sipas Nokës, Kodheli nuk do të mund ti fshihet pafundësisht transparencës. “Ajo duhet të japë llogari për këto të dhëna tronditëse, dhe përgjegjësitë e saj dhe të kryeministrit, për këtë aferë që e njollosin Shqipërinë anëtare të NATO-s me  turpet e një republikë të dështuar të trafikut të drogës.”

Më parë në një deklaratë për mediat deputeti socialist, Besnik Baraj akuzoi opozitën se po sulmon forcat e armatosura dhe të rendit dhe mbron shpërdoruesit e detyrës të ish-funksionarëve të lartë të qeverisë së mëparshme.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)