Tahiri foli edhe për përgjimet e italianëve edhe emrin ‘Saimir’ që përmendet, duke e mohuar që bëhet fjalë për atë, pasi sipas tij aty flitet për një ‘Saimir’ që ishte shofer kamioni. “Nuk është e re që gjyqi juridik nga njëra anë me kërkesën e prokurorisë për arrestimin tim dhe gjyqi publik ku politikanë hedhin baltë mbi mua, duke më bërë herë fajtor dhe herë viktimë. Nuk më intereson dhe nuk kam dëshirë të përfshihen në debat.
Nëse politikës i ka ardhur rasti që llumin e politikës së 25 viteve ta hedhë mbi mua, që nuk kanë kursyer as vrasjet për të mbuluar vjedhjet. Unë u them rrini, unë do e përballoj edhe këtë.
Për të fryrë mbi mua me politikë të mbrapshtë, të pisët unë u them rrini rehat se unë do e përballoj. Unë do të jem aty për të kërkuar të drejtën time dhe jo me fjalë dhe as me llafe apo thashetheme, por me prova. Për mua ka rëndësi sot, vetëm e vërteta dhe e drejta ime.
Të drejtën dua ta gjej vetë, pa ndihmë dhe pa mbështetje, jam qytetar i thjeshtë. Sigurova këtë dokument nga prokuroria e Katanaias, ku thotë se Saimir Tahiri nuk rezulton sot dhe më herët që të ketë pasur procedim penal nga Katania.
Pra prokuroria e Katanias nuk ka gjetur asnjë herë një lidhje të vetme me mua për të nisur një procedim ndaj meje. Si ka mundësi që prokuroria jonë, që brenda 48 orëve kërkoi arrestimin tim. Në ato përgjime flitet për një Saimir që ka kamion dhe merret me thasë drogë, pra nuk mund të jem unë edhe bosi edhe shoferi edhe hamalli i drogës.
Luli dhe Monika janë kukullat më ekzemplare të shefave të tyre. Ky hynë parashikimet se do të vijë tërmet se do të ndodhë hataja dhe se NATO do të vijë këtu. Si nuk mori kush mundim të bënte një verifikim që ky që bëra unë, por shthurin fantazinë që edhe filmave do ua kishin zili. Nuk më intereson se kush arrestohet, shumë mirë që të shkojë para drejtësisë.
Unë u siguroj se cilado bandë kriminelësh qoftë, ngjan amatore krahasuar me bandën që ka gatuar këtë histori duke hedhur bomba për publikun që lëviznin institucione të tjera, që sot betohen para ligjit dhe llogari japin para pushtetit politik.
Unë kam kërkuar që të mos fshihem pas partisë, imunitetit dhe pushtetit. Unë kam kërkuar të bëj betejën time për të drejtën. Unë do e fitoj betejën time me drejtësinë. Sot përmes avokatit i kam kërkuar prokurorisë të zhvillojë pa ndërprerje hetimin tim, pasi rruga për te vërteta nuk mund të jetë me ndalesa, unë nuk kam kohë për të humbur.
Nuk pres që të bëhet tërkuzë kjo histori për të vonuar të vërtetën për të bërë politikë. Unë do të bëj gjithçka që kjo histori mos të mbetet në kanalet e historisë. Unë nuk do të humbas asnjë ditë kohë” deklaroi ai. Përsa i përket seancës nesër në Kuvend, ai u shpreh se jo vetëm deputetët e PD dhe LSI, por edhe të PS, nëse mendojnë se duhet të shkojë në burg le të votojnë.
“Jam i gatshëm që të hetohem, nuk i kërkoj asnjë nder ndokujt nëse ka deputetë që mendojnë që duhet të arrestohem, përfshirë edhe të PS i ftoj të votojnë që të arrestohem. Mua me PS më ka bashkuar vetëm e vërteta për ta bërë këtë vend më të mirë. Unë dua të përballem me të gjithë me kokën lart, në rrugë dhe në politikë. Jam gati të përballem me cdo pasojë. Deputetët e PS jam super i bindur që do të mbrojnë qëndrimin për të vërtetën. Nëse mendojnë se kjo nuk ka lidhje me të vërtetën le të votojnë, unë do të shkojë në burg”.
Pezullimin nga funksionet në PS, Tahiri nuk e cilësoi surprizë. “Nuk kam asnjë koment, nuk e quaj surprizë normale që PS të mbajë një qëndrim. Unë e kam betejën me të vërtetën time”. Në fund të deklaratës së tij, Tahiri foli edhe për akuzat e Berishës se syzet te tij per te cilat tha se jane shume te shtrenjta dhe i jane bere dhurate nga Habilajt. “Asgjë në pasurinë nuk kushton aq sa thotë Sali Berisha, kjo gjë është lehtësisht e verifikueshme. Më duket shumë banale për ta vazhduar këtë bisedë” përfundoi ai.

Dokumenti/ Pergjigja nga prokuroria e Katanias per Tahirin, qe nuk eshte ne hetim ne Itali


Letra ku Tahiri i kerkon Krimeve te Renda qe ta hetojne
VIDEO/Deklerata e plote e Saimir Tahirit
dy.b/shqiptarja.com

VIDEO











