Drejtoria e Doganave: Spekulime, s'ka asnjë vendim gjykate që dënon punonjësit! Gazheli: Ja e verteta

Drejtoria e Doganave: Spekulime, s'ka asnjë vendim gjykate që dënon punonjësit! Gazheli: Ja e verteta

Pas debateve mes Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave Gent Gazhelit dhe botuesit Irfan Hysenbelliu, botues i News24, BalkanWeb dhe Panorama, sot ‘Dogana’ ka dhënë versionin e tyre për ngjarjen.

Mediat në fjalë kanë nisur publikimin e disa shkrimeve sipas të cilave në doganë janë punësuar 4 njerëz me rekorde kriminale në Greqi. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Drejtoria e Doganave thotë se këto akuza janë publikuar edhe më parë, konkretisht në vitet 2018, 2020 dhe 2021. Në postim sqarohet se që në vitin 2018, kur është publikuar akuza e parë, katër punonjësit kanë depozituar dëshmitë e pastra të penalitetit, të cilat janë marrë nga autoritetet greke.

Drejtoria e Doganave shprehet se katër punonjësit kanë qenë pjesë e një operacioni antikontrabandë, por pasi autoritet greke kanë sqaruar rrethanat ata janë lënë të lirë. Drejtoria e Doganave thotë se kjo çështje është mbyllur që në vitin 2018, pasi nuk ka asnjë vendim gjykate që i dënon këto katër punonjës, ndërsa akuzat mbeten vetëm spekulime mediatike.

“Akuza e ditëve të fundit në media nuk është aspak risi. Kjo akuzë është publikuar për herë të parë në vitin 2018, më pas në 2020, 2021 dhe se fundi këto ditë. Që në vitin 2018, kur akuza u ngrit për herë të parë, katër punonjësit e Drejtorisë së Doganave kanë depozituar pranë institucionit punëdhënës dëshmitë e pastra të penalitetit, marrë nga autoritetet greke dhe noterizuar në Shqipëri.

Sipas dokumentacionit të vitit 2016, katër punonjësit kanë qenë pjesë e një operacioni antikontrabandë, kur janë ndaluar nga autoritetet greke. Pas sqarimit të rrethanave dhe rolit të personave në fjalë ata janë lënë të lirë nga prokurorët dhe hetuesit fqinjë. Në kushtet kur nga njëra anë nuk ka asnjë vendim gjykate që i dënon katër punonjësit e Drejtorisë së Doganave dhe për sa kohë dëshmia e penalitetit në shtetin grek është plotësisht e pastër, çështja në fjalë është mbyllur që në vitin 2018, pavarësisht spekulimeve mediatike që vazhdojnë here pas here”, shkruhet në njoftim.

Debati i ashpër mes Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazheli dhe botuesit Irfan Hyseneblliu kanë nisur prej 3 ditësh, ndërsa është përfshirë edhe kryeministri Edi Rama.

Sot edhe Gent Gazheli është përgjigjur sërish replikave te News24 te botura dje:

Grupi mediatik i pronarit Irfan Hysenbelliu, njëkohësisht edhe sipërmarrës i kompanisë "Birra Tirana", ndëshkuar së fundmi me 23 715 310 ( njëzet e tre milon e shtatëqind  e pesëmbëdhjetë mijë e treqind e dhjetë lekë)  gjobë nga Dogana Shqiptare vazhdon shantazhin mediatik në adresën time. Ndërkohë pas autoriteteve shtetërore unë po vijoj informimin e partnerëve ndërkombëtarë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu do të informoj edhe shoqatat e medias brenda dhe jashtë vendit për këtë shantazh ndaj meje personalisht, i cili është i tillë dhe s'ka lidhje me misionin e informimit të publikut sepse: 

1. Kjo akuzë është ngritur disa herë qysh prej vitit 2016 dhe faktikisht punonjësit e vënë në shënjestër nga organizata e Irfan Hysenbelliut nuk kanë asnjë dënim në Greqi. Përkundrazi, kanë dëshmi të pastër penaliteti nga autoritetet greke, sikundër është bërë publike më parë. 

2. Unë i kam gjetur në administratën doganore këta punonjës dhe as i kam sjellë nga shtëpia, as i kam promovuar për shkak të ndonjë lidhjeje të veçantë. Prandaj është shumë e qartë pse sulmohem dhe arsyeja s'ka lidhje as me rastin në fjalë, që daton në një kohë kur unë s'kam qenë fare këtu, as me lidhjen time me ta. 

3. Sulmi mbi mua ka lidhje me gjobën ndaj "Birrës Tirana" dhe unë jam paralajmëruar më parë që nuk duhet të hapja luftë me zotin Irfan, sepse "mediat e tij kanë futur nē burg Fullanin dhe kanë fuqi shkatërruese". 

4. U kam thënë paralajmëruesve se zoti Irfan ka punën e tij dhe unë kam detyrën time, prandaj pushka top sepse nëse ai mediat i paska pushkë, unë detyrën shtetërore e kam luftë kundër evazionit fiskal dhe evazorëve si Irfan Hysenbelliu. 

5. Nuk është aspak çudi që si një burracak i vërtetë, që gjuan me pushkët e tij për llogari të bizneseve të veta, Irfan Hysenbelliu nuk i publikon ato që them unë për këtë rast, po nxjerr vetëm ato që thonë të urdhëruarit prej tij. 

6. Ju lutem mediave të tjera që t'i publikojnë natyrisht duke publikuar edhe versionit e ulët të zotit Irfan! Sepse publiku duhet t'i dëgjojë të dyja këmbanat dhe pastaj të gjykojë vetë. 

7. Doganat Shqiptare do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, të thellojnë arritjet dhe të adresojnë boshllëqe dhe të meta që nuk mungojnë. Kush shkel apo ka shkelur ligjin do te vazhdojë të largohet nga puna. Por shkelja e ligjit dhe kalloja e shkelur e zotit Irfan jo vetëm nuk janë e njëjta gjë, po janë arsyeja pse unë jam me ligjin dhe Fania i famshëm është me kallon!

Postimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave 

 

Ndërkohë në një reagim tjetër, drejtori i Doganave, Genti Gazheli thotë se botuesi, Irfan Hysenbelliu, po e akuzon pa asnjë prove, pa botuar asnjë vendim gjykatë, ndërsa nuk thotë asgjë për krimin që sipas tij kompania e tij ka kryer.

‘Pra Irfani ka te drejte te me akuzoje mua, pa asnje prove. Pa botuar asnje vendim gjykate qe denon personat ne fjale. Dhe kete e ben “rastesisht” pasi eshte gjobitur nga institucioni qe une drejtoj per evazion fiskal. Nuk thote asgje per krimin qe kompania e tij ka kryer, krim i hetuar dhe provuar, por kerkon nga personat qe ai akuzon prova per te treguar qe ata jane te pafajshem. Nuk funksionon keshtu shteti i se drejtes Irfan. Provat duhet t’i paraqese ai qe akuzon, jo i akuzuari. Ndaj ti qe me akuzon mua per kater punonjes qe une ketu i kam gjetur s'i kam sjelle nga shtepia, bujrum, paraqite vendimin e gjykates qe i denon keta kater shqiptare. Une per vete nuk kam pare asnje vendim te tille dhe nuk di te ekzistoje nje i tille. Deri kur ta besh kete, je thjeshte nje shantazhier ordiner siç të tregojnë ata që të njohin mirë. Po edhe sikur ta bësh këtë, fakti që merresh deri edhe me gruan time, të bën thjesht edhe më ordiner si shantazhier!’- shkruan Gent Gazheli në një tjetër postim.


Lajmi kryesor:

Akuza e 'Doganave': Botuesi na vendos gjoba! Reagon News24! Në debat përfshihet dhe kryeministri! Replika e 'Doganave': Spekulime! Gazheli: Ja e verteta


xy/M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja