Akuza e 'Doganave': Botuesi na vendos gjoba! Reagon News24! Në debat përfshihet dhe kryeministri! Replika e 'Doganave': Spekulime! Gazheli: Ja e verteta

Akuza e 'Doganave': Botuesi na vendos gjoba! Reagon News24! Në debat përfshihet dhe kryeministri! Replika e 'Doganave': Spekulime! Gazheli: Ja e verteta

Kryeministri Edi Rama dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli

Prej 3 ditësh ka filluar një debat shumë i ashpër midis Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave Gent Gazheli dhe botuesit Irfan Hysenbelliu, botues i News24, BalkanWeb dhe Panorama. Në debat u përfshi edhe kryeministri Edi Rama.

Media e Hysenbelliut ka nisur duke publikuar disa shkrime sipas të cilave në doganë janë punësuar 4 njerëz me rekorde kriminale në Greqi. Pas këtyre shkrimeve ka reaguar Gazheli, duke etiketuar këto shkrime si ''gjoba mediatike'' pasi një nga kompanitë e Irfan Hysenbelliut, është gjobitur nga drejtoria e doganave për evazion tatimor.

Sot Gazheli ka postuar një tjetër shkrim në ‘Facebook’ akoma më të ashpër dhe të drejtpërdrejtë:

Dje nuk përmenda emra, por pronari i News 24, BalkanWeb dhe Panorama zoti Irfan Hysenbelliu është betuar që nuk do të m'i falë borxhet që i ka shtetit!!! Mediat e tij janë hedhur në një sulm personal me shpifje dhe fyerje personale, sapo "Birra Tirana" ka marrë gjobën e merituar sipas ligjit për fshehje të ardhurash në një shumë të konsiderueshme! Dje mediat në fjalë, nuk e publikuan reagimin tim edhe pse ai nuk fliste me emër as për ato dhe as për organizatorin e këtij sulmi për shkak të detyrës, zotit Irfan Hysenbelliu! Sot detyrohem t'i tregoj me gisht dhe të ndaj me publikun se pasi kam informuar autoritetet shtetërore do të informoj edhe trupin diplomatik edhe shoqatat vendore dhe ndërkombëtare të mediave! Nuk dua të hap për momentin gjyq me zotërinë, për të cilin thuhet kudo se është gjobëvënës mediatik, por tani që po e provoj në kurriz egërsinë kriminale të shpifjeve të këtyre mediave do ta vlerësoj me zyrën juridike një gjyq për reputacionin e Doganës Shqiptare! Me shpresën që mediat e tjera do ta publikojnë këtë deklarim publik, i them zotit Irfan dhe të gjithë irfanëve të tjerë që janë mësuar të shijnë në kurriz të shtetit me maskat e medias, se mua nuk më lëkundin dot në zbatimin e ligjit fiskal!

Pas këtij shkrimi ka pasur reagimin e parë nga kryeministri Edi Rama në Twitter:

Pyetja ime është: Si luftohet me shpifjen apo qoftë edhe me akuzat legjitime në këtë vend, kur jo vetëm media që shpif apo akuzon, po edhe mediat e tjera s'ia japin të drejtën e fjalës personit publik të akuzuar, nëse ky i fundit flet hapur për një shantazh nga një pronar mediash?!

Reagimi i kryeministrit ka shkaktuar një reagim nga ana e News24 dhe BalkanWeb që kanë botuar qëndrimin e tyre:

Kemi publikuar dokumente autentikë të vendimeve të gjykatave greke për drejtorin e hetimit në Drejtorinë e doganave Artur Sejati, si dhe për 3 zyrtarë të tjerë të lartë të cilët janë arrestuar në flagrancë në Greqi dhe më pas janë gjykuar nga gjykatat greke për vjedhje, grabitje, kontrabandë dhe grup i strukturuar kriminal.

News24 ka botuar vetëm vendimet e gjykatave greke. Çfarë ka me interes publik në këtë çështje është fakti që këta persona janë promovuar në poste të larta me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, dokumente që Neës24 i ka bërë publike.

News24, duke përmbushur standardet më të larta profesionale, në interes të publikut shqiptar, është i hapur dhe ka pritur qëndrimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave mbi këto fakte e dokumente që ka publikuar. Por ai ka zgjedhur që të merret me çështje të tjera që nuk kanë lidhje me faktet dhe dokumentet që i interesojnë opinionit publik.

Sot qëndrimit të zotit Gazheli i cili nuk reagonte mbi faktet dhe dokumentet e Neës24, i është bashkuar në një mbrojtje politike edhe kryeministri Rama duke aluduar për presion mediatik.

Nuk është hera e parë që ne si media vendosemi në këtë lloj presioni nga politika, kur botojmë fakte dhe dokumente në interes të opinionit publik. Ndërsa kryeministri aludon për presion mediatik, ai nuk sqaron se përse drejtori i tij i Doganave nuk kthen përgjigje mbi faktet dhe dokumentet që në kemi publikuar. Ky është presion i drejtpërdrejtë ndaj medias për të mos publikuar fakte dhe jo e kundërta siç aludon kryeministri. Nëse Drejtori i Doganave ka një përgjigje për vartësit e tij të promovuar në detyra të larta, në kushtet kur për ta ka vendime penale nga gjykatat greke, nuk ka nevojë për mbrojtjen politike që i bën kryeministri.

News24 do të vazhdojë të botojë fakte dhe dokumente mbi evazionin dhe shkeljet në Doganat Shqiptare, ku perceptimi për korrupsion është shumë i lartë. Por ne nuk do merremi me perceptime, por me publikim të fakteve dhe dokumenteve të reja. Të rendisësh fakte zyrtare aq më tepër nga një shtet i BE, nuk do të thotë të shpifësh dhe as të bësh presion. E kundërta është e vërtetë; të ngresh konceptin e një presioni dhe të njohësh si shpifje vërtetësinë e fakteve''.

Por polemika në distancë ka vazhduar me një replikë të dytë në Twitter nga kryeministri:

Unë u shpreha qartë pa marrë anë. Përkundrazi, thashë se kush është viktimë e një shpifjeje apo shënjestër e një akuze legjitime, duhet të ketë të drejtën minimale të publikimit të opinionit të vet! Dhe siç shihet edhe këtu, kjo nuk ndodh, po vazhdon avazi!

Sa për "faktet" në thonjëza apo pa thonjëza, sigurisht që Dogana Shqiptare mund dhe duhet të bëjë sqarimet e saj zyrtare, por tjetër një denoncim legjitim i fakteve tjetër sulmi personal ndaj drejtuesit të institucionit, direkt pas marrjes së një ndëshkimi ligjor për evazion!

Asgjë personale, po vetëm logjike dhe parimore. Ligj për shpifjen jo! Ligj për fyerjet e mediave jo! Gjyqe me media e me gazetarë jo! Reagime siç e meritojnë shqip fare në këto raste jo! Po as ankesa për të drejtën e publikimit të qëndrimeve pas një sulmi?! Më duket e çuditshme!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:57
Drejtoria e Doganave: Spekulime, s'ka asnjë vendim gjykate që dënon punonjësit! Gazheli: Ja e verteta

Pas debateve mes Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave Gent Gazhelit dhe botuesit Irfan Hysenbelliu, botues i News24, BalkanWeb dhe Panorama, sot ‘Dogana’ ka dhënë versionin e tyre për ngjarjen.

Mediat në fjalë kanë nisur publikimin e disa shkrimeve sipas të cilave në doganë janë punësuar 4 njerëz me rekorde kriminale në Greqi. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Drejtoria e Doganave thotë se këto akuza janë publikuar edhe më parë, konkretisht në vitet 2018, 2020 dhe 2021. Në postim sqarohet se që në vitin 2018, kur është publikuar akuza e parë, katër punonjësit kanë depozituar dëshmitë e pastra të penalitetit, të cilat janë marrë nga autoritetet greke.

Drejtoria e Doganave shprehet se katër punonjësit kanë qenë pjesë e një operacioni antikontrabandë, por pasi autoritet greke kanë sqaruar rrethanat ata janë lënë të lirë. Drejtoria e Doganave thotë se kjo çështje është mbyllur që në vitin 2018, pasi nuk ka asnjë vendim gjykate që i dënon këto katër punonjës, ndërsa akuzat mbeten vetëm spekulime mediatike.

“Akuza e ditëve të fundit në media nuk është aspak risi. Kjo akuzë është publikuar për herë të parë në vitin 2018, më pas në 2020, 2021 dhe se fundi këto ditë. Që në vitin 2018, kur akuza u ngrit për herë të parë, katër punonjësit e Drejtorisë së Doganave kanë depozituar pranë institucionit punëdhënës dëshmitë e pastra të penalitetit, marrë nga autoritetet greke dhe noterizuar në Shqipëri.

Sipas dokumentacionit të vitit 2016, katër punonjësit kanë qenë pjesë e një operacioni antikontrabandë, kur janë ndaluar nga autoritetet greke. Pas sqarimit të rrethanave dhe rolit të personave në fjalë ata janë lënë të lirë nga prokurorët dhe hetuesit fqinjë. Në kushtet kur nga njëra anë nuk ka asnjë vendim gjykate që i dënon katër punonjësit e Drejtorisë së Doganave dhe për sa kohë dëshmia e penalitetit në shtetin grek është plotësisht e pastër, çështja në fjalë është mbyllur që në vitin 2018, pavarësisht spekulimeve mediatike që vazhdojnë here pas here”, shkruhet në njoftim.

Debati i ashpër mes Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazheli dhe botuesit Irfan Hyseneblliu kanë nisur prej 3 ditësh, ndërsa është përfshirë edhe kryeministri Edi Rama.

Sot edhe Gent Gazheli është përgjigjur sërish replikave te News24 te botura dje:

Grupi mediatik i pronarit Irfan Hysenbelliu, njëkohësisht edhe sipërmarrës i kompanisë "Birra Tirana", ndëshkuar së fundmi me 23 715 310 ( njëzet e tre milon e shtatëqind  e pesëmbëdhjetë mijë e treqind e dhjetë lekë)  gjobë nga Dogana Shqiptare vazhdon shantazhin mediatik në adresën time. Ndërkohë pas autoriteteve shtetërore unë po vijoj informimin e partnerëve ndërkombëtarë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu do të informoj edhe shoqatat e medias brenda dhe jashtë vendit për këtë shantazh ndaj meje personalisht, i cili është i tillë dhe s'ka lidhje me misionin e informimit të publikut sepse: 

1. Kjo akuzë është ngritur disa herë qysh prej vitit 2016 dhe faktikisht punonjësit e vënë në shënjestër nga organizata e Irfan Hysenbelliut nuk kanë asnjë dënim në Greqi. Përkundrazi, kanë dëshmi të pastër penaliteti nga autoritetet greke, sikundër është bërë publike më parë. 

2. Unë i kam gjetur në administratën doganore këta punonjës dhe as i kam sjellë nga shtëpia, as i kam promovuar për shkak të ndonjë lidhjeje të veçantë. Prandaj është shumë e qartë pse sulmohem dhe arsyeja s'ka lidhje as me rastin në fjalë, që daton në një kohë kur unë s'kam qenë fare këtu, as me lidhjen time me ta. 

3. Sulmi mbi mua ka lidhje me gjobën ndaj "Birrës Tirana" dhe unë jam paralajmëruar më parë që nuk duhet të hapja luftë me zotin Irfan, sepse "mediat e tij kanë futur nē burg Fullanin dhe kanë fuqi shkatërruese". 

4. U kam thënë paralajmëruesve se zoti Irfan ka punën e tij dhe unë kam detyrën time, prandaj pushka top sepse nëse ai mediat i paska pushkë, unë detyrën shtetërore e kam luftë kundër evazionit fiskal dhe evazorëve si Irfan Hysenbelliu. 

5. Nuk është aspak çudi që si një burracak i vërtetë, që gjuan me pushkët e tij për llogari të bizneseve të veta, Irfan Hysenbelliu nuk i publikon ato që them unë për këtë rast, po nxjerr vetëm ato që thonë të urdhëruarit prej tij. 

6. Ju lutem mediave të tjera që t'i publikojnë natyrisht duke publikuar edhe versionit e ulët të zotit Irfan! Sepse publiku duhet t'i dëgjojë të dyja këmbanat dhe pastaj të gjykojë vetë. 

7. Doganat Shqiptare do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, të thellojnë arritjet dhe të adresojnë boshllëqe dhe të meta që nuk mungojnë. Kush shkel apo ka shkelur ligjin do te vazhdojë të largohet nga puna. Por shkelja e ligjit dhe kalloja e shkelur e zotit Irfan jo vetëm nuk janë e njëjta gjë, po janë arsyeja pse unë jam me ligjin dhe Fania i famshëm është me kallon!

Postimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave 

 

Ndërkohë në një reagim tjetër, drejtori i Doganave, Genti Gazheli thotë se botuesi, Irfan Hysenbelliu, po e akuzon pa asnjë prove, pa botuar asnjë vendim gjykatë, ndërsa nuk thotë asgjë për krimin që sipas tij kompania e tij ka kryer.

‘Pra Irfani ka te drejte te me akuzoje mua, pa asnje prove. Pa botuar asnje vendim gjykate qe denon personat ne fjale. Dhe kete e ben “rastesisht” pasi eshte gjobitur nga institucioni qe une drejtoj per evazion fiskal. Nuk thote asgje per krimin qe kompania e tij ka kryer, krim i hetuar dhe provuar, por kerkon nga personat qe ai akuzon prova per te treguar qe ata jane te pafajshem. Nuk funksionon keshtu shteti i se drejtes Irfan. Provat duhet t’i paraqese ai qe akuzon, jo i akuzuari. Ndaj ti qe me akuzon mua per kater punonjes qe une ketu i kam gjetur s'i kam sjelle nga shtepia, bujrum, paraqite vendimin e gjykates qe i denon keta kater shqiptare. Une per vete nuk kam pare asnje vendim te tille dhe nuk di te ekzistoje nje i tille. Deri kur ta besh kete, je thjeshte nje shantazhier ordiner siç të tregojnë ata që të njohin mirë. Po edhe sikur ta bësh këtë, fakti që merresh deri edhe me gruan time, të bën thjesht edhe më ordiner si shantazhier!’- shkruan Gent Gazheli në një tjetër postim.

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan