TIRANË- Kreu i OSHEE, Ardian Çela ka paditur disa nga deputetët demokratë për akuzat e tyre se Çela gjatë zgjedhjeve të 25 prillit ka drejtuar një grup të strukturuar kriminal për blerjen e votës për Partinë Socialiste.

Sot në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e pajtimit mes Çelës dhe Këlliçit, ndërsa palët nuk kanë pranuar të pajtohen dhe për këtë arsye GJKKO ka vendosur të hap proces gjykimin.

Do jetë Gjykata e Posaçme që do vendosë nëse në deklaratat e Këlliçit kanë apo jo përmbajtje të shpifjes dhe për të dhënë vendimin. Pas daljes nga GJKKO, Çela tha se për këto deklarata ndaj tij është dënuar edhe një deputet i PD-së. Kreu i OSHHE i referohet Ferdinand Xhaferrajt, i cili u dënua me 200 mijë lekë për shpifje ndaj Çelës se ka mbledhur vota për PS në 25 prill.

“I pari që akuzoi u dënua për shpifje”, tha Çela.

Ndërkohë kujtojmë që pak ditë më parë Sali Berisha e akuzoi Çelën se po ndikon tek votuesit për zgjedhjet e pjesshme vendore. Berisha bëri thirrje që kushdo që ta shihte ta godiste me domate. Pyetjes nga gazetari i Report Tv së nëse do të padisë për shpifje Berishën, Çela nuk iu përgjigj.