Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj se po tallen me shqiptarët dhe po mbajnë peng integrimin evropian të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në deklaratë të dhënë gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonominë dhe Financat, deputetja demokrate ka deklaruar se nuk mund të ketë normalitet në jetën parlamentare dhe në politikë, për sa kohë Ministri i Brendshëm dhe familjarë të tij shkelin ligjin haptazi.
Para se të jemi pjesë e Komisionit për Ekonominë dhe Financat jemi anëtar të Kuvendit të Shqipërisë. Jemi rojtarët e zbatimit të ligjeve, ndaj nuk mund të ketë asnjë moment normaliteti këtu brenda në këtë situatë ku vetë Fatmir Xhafaj dhe familjarë të tij kanë shkelur hapur ligjin. Ashtu si mbi tre dekada më parë kur ish-hetuesi Xhafaj pas vdekjes së babait të tij shpirtëror masakroi të rinjtë me duart e tij, duke i shkulur dhëmbët me darë e vezë të ziera në sqetulla vetëm, sepse rastësisht ata të rinj po darkonin. Ashtu sot pas tre dekadash policët e frymëzuar nga ky hetues, sot mbështetës i dhunës në rolin e Ministrit të Brendshëm vrasin të riun në ambientet e komisariatit në Korçë. Vetëm kjo është një arsye që ky ministër duhet të largohet.
Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu
Kadiu solli më pas në vëmendje mbrojtjen që Xhafaj po i bën vëllait të tij trafikant në të gjitha mënyrat, pasi Agron Xhafaj është ndër menaxherët kryesorë të kartelit të drogës.
Si profesionist i fushës së mashtrimit e manipulimit, manipuloi një komision dhe një kuvend të tërë, duke ndryshuar kodin e procedurës penale, vetëm e vetëm që të favorizonte vëllain e tij. Ai nuk e mbron Agronin vetëm si vëllain e tij biologjik, por si menaxherin kryesor të kartelit të kanabisit, pas rritjes se territorit bëhet fjalë për atë territor që deri dje mbulonte klani tjetër i drogës Tahiri-Habilaj. Pa llogaritur këtu kosto të tjera oportune të këtij trafiku galopant të kanabisit nga ministrat e brendshëm me bekimin e Kryeministrit, siç janë atentatet e ndryshme për mbyllje pazaresh e moslikujdim të njërit apo tjetrit të segmenteve të këtij trafiku.
Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu
Deputetja e PD-së ka ngritur shqetësimin se si mundet ky ministër të promovojë Vetting-un kur ky personalisht nuk e kalon vetë Vetting-un, për ligjin antimafia dhe se kjo është një situatë anormale ku gjithkush ndihet i pasigurt e sidomos çdo punonjës policie, që do të përfshihet në Vetting ndihet i tallur dhe i ofenduar nga ky ministër.
Si mundet që një njeri i dënuar me 7 vjet e 2 muaj burg të mos kryejë as edhe një ditë burg?! Si mundet ky individ që është subjekt i ekstradimit të kalojë si turist në sportelet e kufirit shqiptar?!! Si mundet ky individ të vazhdojë trafikun e drogës deri në vitin 2017?!! Si mundet ky trafikant të shkojë dhe të bëjë kallëzim për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kur ai duhet të ishte arrestuar?!! Sigurisht që ky mundet për aq kohë derisa z. Rama të gjejë një ministër tjetër të brendshëm të këtij kalibri për menaxhimin e tregut të drogës. I gjithë procesi i integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane është peng i kryeministrit dhe i dy ministrave të tij të brendshëm si kokat kryesore të trafiqeve narkotike. Ndaj do të ishte e udhës që ky ministër një orë e më parë të lërë Ministrinë e Brendshme dhe ju kolegë të maxhorancës të këmbëngulni bashkë me ne për të larguar një të keqe kaq të madhe, për të mirën e të gjithë shqiptarëve.
Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu