TIRANE- Pas deklaratave të kreut të ALUIZNI, Artan Lame, për procesin e legalizimeve dhe planin rregullues të kryeqytetit, ka reaguar Bashkia e Tiranës, duke i quajtur këto sulme politike. Në një deklaratë për shtyp, thuhet se “me sulmin ndaj Bashkisë, Lame kërkon të fshehë përgjegjësinë e tij të gënjeshtrave ndaj qytetarëve”. Duke thënë se plani rregullues i Bashkisë synon “të zgjidhë kaosin ku e futën Tiranën Lame dhe Rama”, i kërkohet kreut të ALUIZNI-t ta adresojë këtë problematikë në ndryshimet ligjore.
 
“Zoti Lame sot përgënjeshtroi veten, duke konfirmuar dhe njëherë se sulmet e tij janë thjesht dhe vetëm politike. E kuptojmë shqetësimin e madh të zotit Lame, se e ka të vështirë të legalizojë pallatin e tij të ndërtuar në shkelje të ligjit, në kohën kur Edi Rama ishte kryetar Bashkie.
 
“Kur nuk ke ç’i bën gomarit, i bie samarit” - thotë populli. Edhe zoti Lame kërkon të fshehë përgjegjësinë e tij të gënjeshtrave ndaj qytetarëve, duke sulmuar Bashkinë. Lame gënjen se në të vetmin takim që ka ftuar Bashkinë, përfaqësuesit e saj kanë qenë aty.
 
Bashkia e Tiranës e ka dëshmuar me vepra se ka qenë dhe është e përkushtuar të zgjidhë sa të jetë e mundur kaosin ku e futën Tiranën, Lame dhe Rama. Qytetarët e bëjnë sot diferencën mes bllokimit dhe gënjeshtrave të Ramës dhe zhvillimit që po i japim Tiranës sot. Edhe njëherë, i kërkojmë z. Lame ta adresojë këtë problematikë në ndryshimet ligjore dhe të mos fshihet”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)