Ashtu siç ishte paralajmëruar, Ministria e Jashtme e Shqipërisë ia ka përcjellë Beogradit një notë verbale, pasojë e ofendimeve të ministrit të mbrojtjes Aleksandër Vulin, të cilat Tirana zyrtare nuk ka ndërmend t`i tolerojë më. Në dokument shprehet indinjata e thellë ndaj gjuhës fyese dhe atyre që përshkruhen si akuzave të pabaza drejtuar Republikës së Shqipërisë nga ana e Vulin, ndërsa kërkohet një reagim i autoriteteve shtetërore të Serbisë:

“Gjuha ofenduese dhe komunikimi i të pavërtetave në adresë të Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, nuk është mënyra e duhur për zgjidhur mospajtimet politike. Për më shumë, publikimi i deklaratave të kësaj natyre në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë i jep një karakter institucional qëndrimeve të Ministrit. Me anë të kësaj Note Verbale, dënojmë gjuhën e përdorur dhe kërkojmë distancim të qartë dhe të hapur të autoriteteve shtetërore të Serbisë nga gjuha e Ministrit të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.” - letra që Shqipëria i ka dërguar Beogradit.

Burime për Report tv bëjnë të ditur se autoritetet serbe kanë thirrur ambasadorin shqiptar në Serbi pasi edhe ata kanë përgatitur një notë proteste për ne. Ambasadori shqiptar në Serbi Ilir Boçka shkon në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, por nuk e ka marrë notën verbale të Serbisë të dërguar ndaj nesh.

Deklaratat e tilla, të cilat përfshijnë bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës dhe krijimin e një Shqipërie të Madhe, paraqesin një arsye të justifikueshme shqetësimi, si për Republikën e Serbisë ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit të angazhuara për ruajtjen e stabilitetit dhe intensifikimin e bashkëpunimit në rajon”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme serbe.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi se do t'i dërgojë një notë verbale Serbisë për deklaratat e ministrit të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin i cili akuzoi se Shqipëria "po tenton krijimin e Shqipërisë së madhe".