Akuzat e Sinan Idrizit, reagon 
FSHF:Shpifje, s’lejojmë trukime

Akuzat e Sinan Idrizit, reagon <br />FSHF:Shpifje, s’lejojmë trukime
TIRANË - Federata Shqiptare e Futbollit reagoi pas akuzave të administratorit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili ka lëshuar një sërë akuzash ndaj institucionit më të lartë të futbollit në Shqipëri, ku më e rënda është përfshirja në trukimin e ndeshjeve.
 
Përmes një reagim zyrtar FSHF hedh poshtë akuzat e Idrizit, duke i cilësuar ato si halucinacione dhe shpifje.
 
Sipas FSHF-së, sulmet ndaj Federatës, bëhen  për të mbuluar dështimet e Flamurtarit i cili kohët e fundit është shndërruar në klub problematik.
 
FSHF vjon edhe më tej duke hedhur kundër akuza. Ndërsa deklaron se nën drejtimin e Idrizit, Flamurtari dyshohet për trukime ndeshjesh, FSHF theksoi se nuk do t’i lejojë ato.

Reagimi i plotë i FSHF
Federata Shqiptare e e Futbollit, pas akuzave të bëra publike në një emision televiziv, nga administratori FK Flamurtarit Sinan Idrizi, ka këtë reagim zyrtar:
Prej disa kohesh nga ana e këtij personi, jashtë çdo lloj etike zyrtare dhe qytetare, janë lëshuar akuza ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit dhe komisioneve Juridike të saj. Pa asnjë bazë dhe mbështetur në dy kolona, haluçinacionin dhe fjalorin vulgar, ky zyrtar i klubit Flamurtari ka ndërtuar një serial me shpifje dhe akuza, të cilat nuk mund të errësojnë të vërtetën dhe të zbehin sadopak punën e komisioneve dhe FSHF në përgjithësi. Sidomos, në një edicion si ky që sapo u mbyll, i cili është pranuar në mënyrë plebishitare nga opinion dhe media, si mjaft i suksesshëm. Ndoshta, dështimet e Flamurtarit nga të gjitha objektivat e tij në këtë edicion, të pompuara pikërisht nga administratori i klubit, kërkojnë të mbulohen duke sulmuar institucionin e futbollit. Dielli nuk mbulohet me shoshë. Në futboll, fitohet në fushën e lojës dhe jo në hapësirat mediatike apo duke formuluar akuza të paqena mbushur me fjalor banal.
Federata Shqiptare e Futbollit, ka bërë të qartë qëndrimin e saj të vendosur në lidhje me luften ndaj fenomenit te trukimit të ndeshjeve. Nëpërmjet të gjithë organizmave të saj, ajo ka luftuar dhe do të luftojë që ky fenomen dhe personat që e ushtrojnë, të marrin ndëshkimin e merituar. Ky qëndrim i prerë është konfirmuar edhe njëherë tjetër me forcë, në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF, që është organizmi më i rëndësishëm i futbollit shqiptar, zhvilluar para pak muajsh. Ky proces, kërkon bashkëpunimin e shumë aktorëve, ndër më të rëndësishmit, janë vetë klubet e futbollit. Është e vërtetë që administratori Sinan Idrizi, ka sjellë në Komisionin e Etikës kërkesën për hetuar ndeshje . Por është po kaq e vërtetë, që zyrtarët e klubit të tij dhe ai vetë, nuk kanë bashkëpunuar për të treguar individë konkretë tek të cilët dyshojnë, dhe më mirë se ata, askush nuk mund të ndihmoje ne kete proces. Flamurtari, nuk ka qenë klub i dyshuar nga Komisionet e FSHF më pare por pikërisht kohët e fundit, ai është shndërruar në një klub problematik ku se fundmi erdhen edhe raporte nga UEFA . Ai është hetuar disa herë edhe nga Komisioni i Etikës. 
Sulmi banal dhe pa asnjë argument për të të mbetur në mendje, me përjashtim të një fjalori ordiner, që fatkeqësisht gjen vend dhe pasqyrohet pa etikë edhe në media serioze, ka patur për qëllim për të goditur Komisonin e Etikës dhe punën e tij. Administratori i klubit Flamurtari, Sinan Idrizi, ka fyer rëndë figura me integritet dhe personalitet, të cilët kanë kontribuar shumë dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë për zhvillimin e futbollit. Veprim i papreçedent, ky që vjen nga një person që ka fare pak kohë në botën e futbollit dhe nxiton të bëhet i njohur mediatikisht, nëpërmjet deklaratave mbushur me fjalë banale. 
Vetëm gjatë periudhës që ky person është në drejtimin e klubit, Flamurtari dyshohet për trukime ndeshjesh. E ndërsa Komisionet e FSHF, çdo javë kanë kryer hetime, pikërisht administrator Sinan Idrizi bërtet: Kapeni hajdutin! Po kush, e drejton klubin e Flamurtarit, administratori Sinan Idrizi apo Komisionet e FSHF? Mos vallë, anëtarët e nderuar të Komisioneve, urdhërojnë ndonjë lojtar të Flamurtarit për të ndikuar në rezultat? Është një absurd, të cilin vështirë se mund ta besojë një njeri me arësye. 
Së fundmi, nuk do të denjonim ti përgjigjeshim, këtij personi të dënuar nga Komisionet e FSHF por ndjejmë për detyrë të sqarojmë opinionin sportiv shqiptar dhe mediat, në lidhje me spekullimet e rradhës të një zyrtari, që për mënyrën se si ka reaguar, vështirë se mund të quhet i tillë. FSHF, konfirmon qëndrimin e saj të prerë, se për këtë person dhe këdo tjetër, që shkell etikën, do të zbatohen të gjitha sanksionet që parashikohen në rregulloren e futbollit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja me Italinë/ 'La Repubblica': Të mërkurën pritet të niset anija e parë me emigrantë drejt Gjadrit, por mund të jetë edhe udhëtimi i fundit! Çfarë mund të ndodhë?

Marrëveshja me Italinë/ 'La Repubblica': Të mërkurën pritet të niset anija e parë me emigrantë drejt Gjadrit, por mund të jetë edhe udhëtimi i fundit! Çfarë mund të ndodhë?