Sajmir Kurti mësohet se ka paraqitur dorëheqjen e cila është administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
Në letrën e dorëheqjes së tij Saimir Kurti deklaron se nuk është në kërkim dhe as i fshihet kujt. Sa i takon akuzave të PD
Kurti shton se jep dorëheqjen deri në momentin kur kjo çështje të marrë një zgjidhje përfundimtare në gjykatë.
Në një deklaratë për median, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit njofton se, “ka administruar dorëheqjen e Drejtorit të Zyrës së Punës Kavajë, Sajmir Kurti dhe ka nisur procedurën për zëvendësimin e tij”.
ORA 15:35 TEKSTI I PLOTË I DORËHEQJES SË KURTIT:
“I nderuar Drejtor i Përgjithshëm,
Po ju shkruaj rreth situatës së krijuar me fushatën e shpifjeve të Partisë Demokratike rreth personit tim. Deklaroj me përgjegjësi të plotë së nuk jam në kërkim dhe as i fshihem kujt në Kavajë apo kudo në Shqipëri. PD e di fare mirë këtë fakt, sepse deri në 15 shtator 2013 qeveriste vendin dhe kishte të gjithë mundësitë ta vërtetonte ose të vepronte për këtë situatë.
Për çështjen në fjalë jam duke ndjekur të gjitha procedurat gjyqësore dhe kam besim tek drejtësia. Me gjithë bindjen tek pafajësia ime, për të provuar që nuk kam asgjë për të fshehur e për t'i lejuar drejtësisë që të kryejë detyrën, unë ju dorëzoj sot dorëheqjen time deri në momentin kur kjo çështje të marrë një zgjidhje përfundimtare në gjykatë.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,Saimir Kurti”, përfundon letra e dorëheqjes së drejtorit të zyrës së Punësimit në qytetin e Kavajës.
ORA 12:40 DEKLARATA E PARTISE DEMOKRATIKE
Partia Demokratike denoncoi sot se një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar është emëruar drejtor i zyrës së punës në Kavajë. Zyra e PD ka shpërndarë një foto, ku tregohet i akuzuari Saimir Kurti, ndërsa zëdhënësja për shtyp e PD, Laura Vorpsi tha se ky emërim është në vijimësi të emërimeve klienteliste të bëra nga qeveria.
“Dy vite më parë, në verën e vitit 2012 Saimir Kurti, u zbulua nga autoritetet doganore teksa një kontenier që vinte nga Kina plot me cigare, e deklaronte si të mbushur me dyer, për të shmangur detyrimin prej 400 milionë lekësh. U kallëzua, dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria. Pak ditë më parë, ky person ka marrë postin e lartë të Drejtorit të Zyrës së Punës në Kavajë, i propozuar nga Erion Veliaj, në një ceremoni më shumë ngjyra, ku prezantimin ia ka bërë Kryeministri, Edi Rama.” tha në fjalën e saj Vorpsi
“Me emërimin që po denoncojmë ne sot, del qartë se rilindja e Edi Ramës, është thjeshtë e vetëm rilindje e personave që kanë probleme të rënda me ligjin, por që i shërbejnë interesave klienteliste të partisë, Kryeministrit dhe Ministrave të linjës.” përfundoi zëdhënësja e PD-së.
(Foto: Denoncimi i PD, ku tregohet Saimir Kurti)
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)