Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka reaguar pas deklaratës së deputetit të PD, Luciano Boci i cili akuzonte MAS se po mbante maturantët në akth pasi qeveria nuk ka nxjerrë ende udhëzimin zyrtar për aplikimin në Universitete.
 
"Pavarësisht se ky vit është viti i parë i implementimit të ligjit të ri për arsimin e lartë, Ministria e Arsimit ka realizuar detyrimet e saj ligjore në kohë, për të bërë të mundur një proces pranimesh sa më fleksibël dhe të thjeshtë"thuhet në reagim.
 
MAS përmes portalit 'Transparenca' hedh poshtë pretendimet e PD dhe deklaron se  prej datës 22 korrik maturantët kanë në dispozicion udhëzimin e ri të pranimeve në institucionet e arsimit të lartë.
 
Ndërsa shton se "Në përgjigje të shqetësimeve të ngritura prej deputetit të Partisë Demokratike theksojmë se Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka ndërtuar një platformë të re të pranimeve në Institucionet e Arsimit të Larte, bazuar në risitë që ka parashikuar ligji i ri për arsimin e lartë".
 
Gjithashtu MAS thekson se "Institucionet e ministrisë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e arsimit të lartë për të garantuar një proces sa më të pranueshëm për ta, por edhe për interesat e studentëve.
 
Për këtë arsye janë organizuar edhe ditët e orientimit të karrierës së maturantit, në menyrë që maturantët të njiheshin me të rejat e ligjit dhe me programet e studimit të çdo universiteti shqiptar"mbyllet reagimi i MAS. 


d.b/shqiptarja.com