TIRANE, 17 Janar /ATSH/- Deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati, në një reagim, ndaj akuzave të PD, se qeveria lejoi aktivitetin e bandës së kokainës në Xibrakë të Elbasanit, u shpreh se "kjo opozitë është e vetmja që sulmon policinë".
Në një dalje për mediat Bushati tha se, "Opozita vazhdon të bëhet çdo ditë e më qesharake me deklaratat e saj kundër Policisë së Shtetit. Akuzojnë policinë pse arrestoi bandën e laboratorit të drogës në Elbasan, njësoj siç akuzuan Policinë e Shtetit pse çliroi Lazaratin nga prodhimi dhe trafikimi i kanabisit".
Është e vetmja opozitë në botë, deklaroi ai, që akuzon Qeverinë dhe policinë pse ndalon kriminelët dhe lufton trafiqet u shpreh ai, ndërsa shtoi se, Partia Demokratike që tetë vjet në pushtet kishte të gjithë informacionin për trafikun dhe prodhimin e drogës në Lazarat. Trafik lëndësh narkotike dhe aktivitet kriminal që bëhej mu në mes të ditës e që Partia Demokratike nuk lëvizi gishtin për të ndërhyrë. Partia Demokratike, që tetë vjet në pushtet ishte në presion të vazhdueshëm nga partnerët ndërkombëtarë për të ndërhyrë në Lazarat, por pati frikë ta bënte.
Bushati theksoi se, "tani që Qeveria e re i ka shpallur luftë pa kompromis drogës dhe trafikut, tani që Lazarati u çlirua dhe laboratori i narkotikëve në Elbasan u kap, Partia Demokratike që qëndroi tetë vjet duarkryq na gjen kurajon për të akuzuar". e.xh/ /a.g/