TIRANE- Pas akuza të Partisë Demokratike për emërimin e Roni Shqiopës në krye të Shtëpisë së Pushimit, si person në gjykim për shpërdorim detyre, ka reaguar Ministria e Brendshme. Në një deklaratë për shtyp, ky institucion sqaron se në emërimin e drejtuesve të institucioneve të saj të varësisë, përfshirë Shtëpinë e Pushimit në qytetin e Durrësit nuk ka asnjë shkelje.
 
“Është për të ardhur keq që sot po synohet të hidhet baltë mbi drejtuesit e rinj nga ata që deri dje në pushtet, e kishin kthyer administratën publike në strehë personash të inkriminuar e të dënuar me vendimet formës së prerë të gjykatave, apo të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësitë e vendeve fqinje”, thuhet në reagim.
 
Sipas Ministrisë së Brendshme “Roni Shqiopa, i emëruar në detyrën e Drejtorit të Shtëpisë së Pushimit, rezulton i padënuar asnjëherë nga organet e drejtësisë, çka vërtetohet lehtësisht edhe nga Vërtetimi i Gjendjes gjyqësore të tij. Përsa kohë që ndaj tij nuk ka asnjë dënim të dhënë me vendim gjyqësor të formës së prerë, bazuar mbi parimin e prezumimit të pafajësisë, asnjë shkelje ligjore, apo edhe morale nuk është kryer në emërimin e tij në detyrën e lartpërmendur”.
 
Në reagim theksohet se emërimet e bëra në Ministrinë e Brendshme janë kryer në transparencë të plotë dhe sipas legjislacionet në fuqi.
SHQOPA
(Foto/Vërtetimi i Gjendjes Gjyqësore të Roni Shqiopa)
 

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)