TIRANE- Deputetja e Partisë Socialiste Olta Xhaçka ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike, për spastrime në administratë. Në denoncimin e bërë pasditen e sotme, Koordinatorja për Marrëdhëniet Publike PD, Grida Duma, tha se dyshja Rama-Meta janë përgjegjësit për vetëvrasjen e një gruaje nga Korça, e cila dyshohet se ishte larguar nga puna.
 
Në një deklaratë për mediat, Xhaçka i ka cilësuar këto akuza “një ngjarje shumë e rëndë, pasi PD ka zgjedhur të bëjë politikë me vdekjen dhe fatkeqësinë”.
 
“Kjo është e pamoralshme, e turpshme dhe e pafalshme. Prej vitesh jemi mësuar me lumin e akuzave, fyerjeve, shpifjeve, baltës, që buronin nga zyrtarë të Partisë Demokratike dhe goja e ish Kryeministrit. Por kjo e sotmja, është shumë e rëndë. Një grua, nënë, bashkëshorte, është ndarë nga jeta. Kjo është një fatkeqësi, për të cilën sot vuajnë familjarët, të afërmit dhe miqtë e saj. Ndërkohë opozita shfrytëzon këtë rast për të bërë politikë, sërish përmes shpifjes dhe baltës. I njëjti avaz, njësoj si gjatë tetë viteve të fundit”, tha deputetja Xhaçka.
 
Ndërkaq, deputetja e PS-së i ka këkruar PD dhe Grida Dumës të kërkojnë falje lidhur me deklaratat e bëra lidhur me këtë ngjarje.
 
Një ditë më parë, 52-vjeçarja Bruna Meko, u gjet e vetëhelmuar në ballkonin e banesës së saj në Lagjen 13 Korçë.
 
Ndërkaq, është ngritur një grup hetimor që po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shkaqet që çuan 52-vjeçaren të vetëhelmohej.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)