Në reagim ndërsa nënvizohet se Ajola Xoxa në harkun kohor 2012-2014 ka punuar si juriste e asociuar pranë studios ligjore Tashko Pustina dhe nuk ka patur asnjë klient të vetin dhe asnjë marrëdhënie financiare me ndonjë klient të studios, theksohet se se Ajola Xoxa nuk ka qenë në asnjë moment personalisht përfaqësuese ligjore për Francescho Becchettin, apo për ndonjë prej kompanive të tij.
Më tej në reagim theksohet se kandidati i ASHE për Tiranën Erion Veliaj mbështet luftën pa kompromis ndaj evazionit fiskal dhe pastrimit të parave, si edhe principin se një media nuk mund të jetë e lirë dhe e ndershme kur financohet nga individë apo kompani të përfshira në aktivitete të jashtëligjshme.
Reagimi i plotë i Zyrës për shtyp të Erion Veliajt
Sa më shumë afron data e zgjedhjeve të 21 qershorit, aq më shumë është në panik Partia Demokratike. Në mungesë të programit dhe vizionit për Tiranën, të zhytur në dështimin e 4 viteve të fundit gjumë të Lulzim Bashës, e vetmja alternativë për Partinë Demokratike në këto zgjedhje është sulmi personal për familjen e Erion Veliajt, duke hedhur baltë mbi bashkëshorten e tij.
Siç e kemi sqaruar edhe më parë, Ajola Xoxa në harkun kohor 2012-2014 ka punuar si juriste e asociuar pranë studios ligjore Tashko Pustina. Ajo nuk ka patur asnjë klient të vetin dhe asnjë marrëdhënie financiare me ndonjë klient të studios. Zonja Xoxa është paguar vetëm nga studio ligjore dhe ka ofruar shërbimin e saj profesional për klientët e studios, sipas kërkesës së drejtuesve të studios.
Theksojmë se Ajola Xoxa nuk ka qenë në asnjë moment personalisht përfaqësuese ligjore për Franchesco Bechettin, apo për ndonjë prej kompanive të tij.
Nëse media të caktuara apo deputetë të opozitës do të vazhdojnë këtë sulm shpifjesh dhe fyrjesh ndaj znj. Ajola Xoxa, ajo do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të rivendosur të drejtat e saj të cenuara, duke kërkuar që shkelësit të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit!
Kandidati i ASHE për Tiranën Erion Veliaj mbështet luftën pa kompromis ndaj evazionit fiskal dhe pastrimit të parave, si edhe principin se një media nuk mund të jetë e lirë dhe e ndershme kur financohet nga individë apo kompani të përfshira në aktivitete të jashtëligjshme.
Deklarata e plotë e deputetit të PD, Luçiano Boci
Sipas Edi Ramës, Ajola Xoxa, bashkëshortja e kandidatit të tij për Tiranën, është e përfshirë në para të pisëta.
Kështu i quan Edi Rama paratë e pronarit të Agon Channel, ku Ajola Xoxe është e lidhur drejtpërdrejt si përfaqësuese ligjore e z.Becchetti.
Eshtë bërë publike sot, se zonja Veliaj ka përfaqësuar në disa gjyqe pronarin e Agon Channel, pikërisht për çështjen financiare për të cilën është akuzuar klienti i saj.
Ndërkohë që, dy ditë më parë, kur sapo nisi procesi për këtë rast, Edi Rama shpalli verdiktin e tij. Si prokuror madje si gjyqtar suprem, ai tha: “Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente Agon Channel një sukses!”.
Ajola Xoxe ndërkohë është në mes të gjithë kësaj histore transaksionesh si avokate e Becchettit. Nëse paratë e pronarit të Agon janë të pisëta, me burim kriminal, si ka mundësi që zonja Veliaj është e përfshirë?
Si ka mundësi që ndaj saj nuk ka sot një procedim penal, sepse ekziston, është në fuqi një ligj që e detyron avokatin të raportojë pranë Drejtorisë së Pastrimit të Parave kur ka lëvizje të dyshimta parash, që e kalojnë shumën e 1 milionë lekëve të vjetra.
Ligji nr 9917, i vitit 2008, e detyron Ajola Xoxen të raportojë. Neni 3 thotë se subjektet e këtij ligji janë, avokatët, noterët, përfaqësuesit ligjorë, ekspertët kontabël, etj. Zonja Veliaj, sipas dokumentave të bëra publkike sot është pikërisht avokate e z.Becchetti.
Si është e mundur që ky ligj i Republikës së Shqipërisë nuk vepron dot ndaj bashkëshortes së Erion Veliajt?
Pse ka imunitet ajo, çfarë e mbron atë, pse nuk është e barabartë para ligjit?
Pse nuk vepron ky ligj ndaj Ajola Xoxes edhe në rastin e Dzanashvillit, bosit të mafias së Ballkanit e më gjërë, avokate e të cilit është bashkëshortja e Veliajt.
Dhe a ka ndonjë shpjegim, që sa herë flitet për para të pisëta, e pastrim parash me burim kriminal, del emri Ajola Xoxes si avokate?
A kanë marrë formën e posterave, spoteve, zyrave elektorale, formën e fushatës së luksit të Erion Veliajt, paratë e pisëta ku është përfshirë bashkëshortja e tij.
Edhe sa do të vazhdojë Edi Rama ta mbrojë zonjën Xoxa nga përballja me ligjin.
Edhe sa skandale të tjera duhet të ndodhin që Erion Veliaj të flasë, të bëjë transparencë.
Redaksia Online
(a.h/Shqiptarja.com)