Ministri i Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka reaguar lidhur me akuzat e opozitës dhe PD-së sa i përket denoncimit të tenderit të kryer nga Operatori i Blerjeve të Përqëndruara.
Gonxhja e krahason PD-në me një "menu fikse" që është e angazhuar vetëm në kritika të paargumentuara dhe shpifje, duke e etiketuar atë si një opozitë jo objektive që nuk analizon situatën, por thjesht përsërit mesazhe të përhapura pa baza të forta.
Në kontrast, Gonxha thekson arritjet e OBP-së, që ka bërë një "revolucion" në fushën e prokurimit publik, duke u përgëzuar nga homologët evropianë dhe duke rritur transparencën, kursimin e fondeve dhe konkurrencën. Ai përmend se OBP ka sjellë përfitime të shumta për administratën dhe sektorin publik, si dhe ka eliminuar vonesat dhe hilet.
Reagimi i Gonxhjas:
Opozitë me menu fikse - një javë lakra, java tjetër tarator… këtë javë ca portale ngritën topin, që e zhyti PD në fundjavën fletërrufe! Fushata afron e vaktet e baltës shpeshtohen, por edhe pse një opozitë jo objektive dëmton vetëm vetveten, duke mbetur gropë nga mentaliteti i anatemimit me të dëgjueme e copy-paste, apo duke humbur besueshmëri sepse as pyet, as informohet zyrtarisht, as analizon e as përpiqet të ndajë shapin nga sheqeri, me korin “nxi se dicka ngjit”, pa bërë kurrë dallimin mes fakteve dhe llafeve, mes ligjit dhe dellit - po publikoj grafikat e krenarisë së OBP!
Operatori i Blerjeve të Përqendruara në më pak se 8 muaj nga themelimi si sh.a. ka bërë revolucion në shërbimin e prokurimit publik, me përgëzime nga homologët evropianë, UNOPS, duke u kthyer në shembull kthese në sektorin më problematik e vulnerabël, duke rritur transparencën, kursimin e fondeve publike, konkurrencën, risitë, dinjitetin e administratës shqiptare dhe leverdisshmërinë për AK - klientët, duke fuqizuar tregun e lirë shqiptar, duke shpejtuar procedurat, duke eliminuar vonesat, hilet dhe subjektivitetin, duke garantuar cilësinë dhe standardet e mallrave dhe shërbimeve të kontraktuara, çka vërtetohet nga pasqyrat statistikore!
OBP për herë të parë publikon në kohë reale dhe njofton operatorët ekonomik që regjistrohen në sistem, për çdo garë e tender të shpallur, përmes një platforme online - FALAS!
OBP lancon në kohë rekord online Katalogun Digjital ALBZONE për autoritetet kontraktore, ku porosia kryhet në kohë reale, mes termave e çmimeve të unifikuara e certifikuara!
OBP si ent me vetëfinancim, çdo fitim pas taksave do ta investojë në art e kulturë, një tjetër e mirë publike kjo!
Çdo ofertues që shpallet fitues nga OBP, e mban vetë përgjegjësinë për çdo detyrim ligjor, deklarimi konflikti interesi apo zbatim të akteve në fuqi! Sikurse OBP auditohet, monitorohet dhe është subjekt i kontrollit për çdo veprim, qendrim e praktikë zyrtare! Edhe pse termat & specifikimet teknike hartohen nga autoritetet kontraktore, OBP po punon për mbështetjen me ekspertizë, automatizimin dhe informatizimin e plotë të procesit, duke ndihmuar për mirëpërcaktimin e fondit limit dhe përfshirjen e sa më shumë ofertuesve!
Lajmi kryesor: