AF Elbasani dhe Vllaznia barazuan të shtunën 1-1 në 'Elbasan Arena'. Në fundin e takimit Vllaznisë iu anuluan dy gola me ndërhyrjen e sistemit VAR, gjë që nervozoi presidentin e shkodranëve. Alban Xhaferi shkoi deri aty sa goditi fizikisht në dhomat e zhveshjes arbitrin anësor Ergys Spahiu.

Pas ndeshjes klubi shkodran akuzoi edhe AF Elbasanin për mungesën e organizimit të ndeshjes dhe lejimin e tifozëve në tribunën VIP, të cilët sipas Vllaznisë "gjatë gjithë ndeshjes fyen dhe provokuan vazhdimisht lojtarët dhe përfaqësuesit e KF Vllaznisë".

Në lidhje me këto akuza AF Elbasani ka kërkuar prova duke thënë se Vllaznia po i përdor këto akuza për të zhvendosur vëmendjen nga dhuna e presidentit Xhaferi. Sfida u luajt pa tifozë.

Reagimi i AF Elbasanit:

Në lidhje me pretendimet e publikuara pas ndeshjes AF Elbasani – KF Vllaznia, klubi ynë hedh poshtë kategorikisht çdo akuzë për mosrespektim të procedurave të organizimit të një ndeshjeje pa praninë e tifozëve, si dhe çdo pretendim për ushtrim dhune ndaj lojtarëve apo përfaqësuesve të ekipit kundërshtar.

Theksojmë qartë se nga ana e AF Elbasanit, stafit apo personave nën përgjegjësinë apo jo të klubit nuk është ushtruar asnjë formë dhune. Përkundrazi, incidenti i dhunshëm i regjistruar pas përfundimit të ndeshjes është evidentuar dhe dënuar publikisht edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, në reagimin e saj zyrtar.

AF Elbasani, në bashkëpunim me kompaninë e sigurisë dhe përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, ka ndjekur me përpikëri procedurat dhe masat e nevojshme për mbarëvajtjen dhe sigurinë e ndeshjes. Ftojmë çdo palë që ka ngritur akuza ndaj klubit tonë të paraqesë fakte, prova apo materiale filmike konkrete që vërtetojnë pretendimet e bëra. Nëse paraqitet një provë e tillë për shkelje, klubi do të marrë menjëherë masat përkatëse.

AF Elbasani nuk do të heshtë përballë akuzave të pabazuara dhe nuk do të lejojë që emri i klubit të përdoret për të zhvendosur përgjegjësinë për ngjarje që nuk janë shkaktuar prej tij.


Lajmi kryesor:

Dhunë në Elbasan, presidenti i Vllaznisë godet me grusht arbitrin e ndeshjes! Xhaferi: Na anuluan golat në shtesë, problem sistemi! FSHF: Marrim masa, asnjë tolerancë