Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për Deutche Welle një ditë para verdiktit final të UEFA-s, lidhur me akuzat e mediave serbe ndaj vëllait të tij Olsi Rama për atë çka ndodhi në Beograd në ndeshjen Serbi-Shqipëri.
Sipas kryeministrit Rama, lajmi i dhënë nga mediat serbe se Olsi Rama është ideatori i dronit me flamurin e simboleve tona kombëtare, është marrë si i mirëqenë nga prestigjozet botërore në mënyrë joprofesionale. Rama thekson se mediat botërore pas incidentit u ndikuan nga propaganda dhe lajmi i pavërtetë i mediave sebe dhe nuk folën aspak për shprehjet raciste apo për dhunën e tifozëve dhe forcave të sigurisë serbe.
Kryeministri ripërsëriti qëndrimin e tij se ndihet krenar me sjelljen dhe qëndrimin e lojtarëve dhe stafit shqiptar gjatë ndeshjes.
“Si mund të linçohet publikisht e botërisht nga tribuna prestigjoze e të mirënjohura për etikën e tyre një person, që as nuk pyetet për të dhënë opinionin e tij? Dhe si ka mundësi që vetëm e vetëm, pse i akuzuari është vëllai i kryeministrit të vendit të një skuadre kombëtare, që dhunohet psikologjikisht e fizikisht në një fushë mike, dhe vetëm e vetëm pse mbi stadiumin e vendit pritës fluturon një "flamur" me simbole kombëtarë të miqve, titujt e mëdhenj të merren me këto e jo me racizmin e me dhunën fizike të ushtruar haptaz ndaj lojtarëve miq në kualifikimet e kampionatit europian?! Po unë do të shtoja se as shumë gazeta e televizone, edhe në Gjermani, s'kishin lidhje me fair play-n deontologjik të gazetarisë! Sa për lojtarët tanë jam krenar se nuk ranë në kurthin e tmerrshëm të asaj dhune psiqike e fizike, luajtën më mirë se Serbia, patën më shumë raste e padyshim, shumë më tepër dinjitet në një fushë, ku ishte ndaluar jo vetëm çdo flamur shqiptar, po edhe çdo shall e distinktiv shqiptar edhe për 45 personat, që shoqëronin skuadrën kombëtare në tribunën VIP.” shprehet kryeministri
(Në foto: Goditja me stol kokës nga tifozi serb ndaj futbollistit shqiptar Bekim Balaj)
Rama: Deklaratat e zyrtarëve serbë, zgjatime të thirrjeve raciste antishqiptare
Duke iu rikthyer dhunës dhe racizmit serb ndaj shqiptarëve të shfaqur në stadiumin e Beogradit ndaj Shqipërisë, kryeministri tha se kishte mbetur i impresionuar nga kjo sjellje. Ai nënvizon se tensioni në këtë ndeshje ishte i parashikueshëm por sipas tij jo deri në thirrjet raciste “Vritini Shqiptarët!” për afro 40 minuta.
Por për kryeministrin ishte e paimagjinueshme që edhe deklaratat e zyrtarëve serbë ishin zgjatim i thirrjeve raciste.
“Unë e imagjinoja që ndeshja do të ishte "e nxehtë", në fund të fundit Serbi - Shqipëri është derbi i padiskutueshëm i Ballkanit dhe prandaj edhe e dekurajova çuarjen e tifozëve tanë në Beograd. Por që në stadiumin e Beogradit do të ulërihej 40 minuta rresht "Vritini shqiptarët, vritini shqiptarët! Vritini vëllezërit e kroatëve", këtë nuk e imagjinoja. Ashtu siç nuk imagjoja dot kurrë që retorika e Serbisë zyrtare pas ndeshjes do të ishte një zgjatim i koreve raciste, antishqiptare, të tifozëve të udhëhequr nga huliganë të dënuar ndërkombëtarisht, të cilët hynë edhe në fushë e goditën lojtarët tanë me karrige kokës!” thekson Rama
(Në foto: Huliganët serbë në stadium dhe dera e hapur)
Rama: Me Vuçiç, ramë dakord që vizita të shtyhet, vullnet dypalësh për bashkëpunim
I pyetur lidhur me arsyen e shtyrjes së vizitës së Ramës në Beograd, kryeministri është shprehur se pas bisedës telefonike me homologun Vuçiç, është rënë dakrod, se ky nuk është momenti i duhur për të zhvilluar vizitën, dhe se pikëpamjet e tyre kanë qenë të kundërta për ngjarjet e 14 tetorit.
Megjithatë Rama nënvizon se nga të dyja palët ekziston vullneti për të një bashkëpunim ndërajonal të mëtejshëm, të iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel më 28 gusht në Berlin, në Samitin e Ballkanit.
Më poshtë intervista e plotë e Edi Ramës dhënë për Deutche Welle:
Deutsche Welle: Zoti kryeministër, pse u shty vizita për në Beograd?
Edi Rama: Sepse në kuptimin tim Serbia nuk ishte gati që vizita të zhvillohej në datën e përcaktuar pas atyre, që ndodhën gjatë e pas ndeshjes Serbi - Shqipëri, në fushën e blertë të futbollit dhe në fushën e marrëdhënieve politike të minuara nga një mosbesim shekullor. Kryeministri Vuçiç më ka telefonuar dhe më ka shprehur pikëpamjen e tij mbi gjithë sa ka ndodhur, ashtu siç unë i kam shprehur timen, në divergjence të plotë me të. Por së bashku kemi rënë dakord se duhet të shohim nga e ardhmja dhe duhet ta çojmë përpara procesin e nisur dhe frymëzuar nga Kancelarja Merkel në Konferencën e 28 gushtit në Berlin, ku për herë të parë liderët e Ballkanit janë ulur të gjithë bashkë jo për t'u grindur për kufijtë, po për t'u bashkuar në rrugën e bashkëpunimit politik, ekonomik e social.
Si janë marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit?
Edi Rama: Besoj se pas shfaqjes së stadiumit të Beogradit, të gjithë mund ta marrin me mend se marrëdhëniet janë në një fazë embrionale pas një shekulli e më shumë pa asnjë marrëdhënie bashkëpunimi, ku gjithë ç'mbajmë mend janë lufta, grindjet, mosmarrëveshjet.
A janë në gjendje elitat shiqtare dhe serbe për të zhvilluar një dialog?
Edi Rama: Të mos e harrojmë se ky 2014 është viti më i mirë i Ballkanit në historinë e tij. Është i pari vit, që ka ardhur pa asnjë konflikt kufitar dhe në paqe mes të gjithëve. Rastësia e ka dashur që kjo të ndodhë në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, që shpërtheu pikërisht në Ballkan, por është një koincidencë shumë domethënëse, që na bën të gjithëve të kuptojmë se nga sa larg jemi nisur për të mbërritur në këtë moment, të cilin në asnjë mënyrë s'duhet ta shpërdorojmë. Unë kam besim se do ti'a dalim të bëjmë përpara pavarësisht problemeve dhe jam i vendosur të bëj gjithçka për të mos lejuar që e shkuara të na dalë përsëri përpara në rrugën drejt Europës së Bashkuar. Kjo paqe ka ardhur si vullnet europianist i popujve të rajonit, por është shumë e brishtë e gjitha për t'u ndërtuar. Eshtë një paqe shumë e madhe për shpatullat e secilit prej vendeve tona veç e veç, prandaj duhet të ecim dorë për dore me njëri-tjetrin e me Europën e Bashkuar, që nga ana e saj duhet të kuptojë se i duhet bashkimi me Ballkanin sot po aq sa ç'i duhet Ballkanit bashkimi më të. "Enlargement fatigue" është një term i njohur brenda BE-së, por brenda Ballkanit ka nisur të përdoret një term tjetër, "Patience fatigue", dhe të gjithë duhet të bëjmë çmos që lodhja mos të na mundë në përpjekjen tonë drejt të ardhmes, pasi pasojat do të ishin reciprokisht katastrofike.
Në Beograd futbollistët shqiptarë e mbrojtën flamurin e "Shqipërisë së Madhe". Ju, Zoti Rama, thatë se jeni krenar për lojtarët. Eshtë ky flamur flamuri juaj?
Edi Rama: Dy gjëra më kanë impresionuar thellë në këtë histori dhe dua t'i them troç. E para fakti që një banderolë, ku ishin asembluar disa simbole kombëtare të shqiptarëve dhe që nuk ishte as flamuri ynë kombëtar, as flamuri i ndonjë "Shqipërie të Madhe", po një shembëlltyrë fluturuese, që edhe ne e shihnim për herë të parë, provokoi një tërbim aq të madh politik në Beograd. Unë e imagjinoja që ndeshja do të ishte "e nxehtë", në fund të fundit Serbi - Shqipëri është derbi i padiskutueshëm i Ballkanit dhe prandaj edhe e dekurajova çuarjen e tifozëve tanë në Beograd. Por që në stadiumin e Beogradit do të ulërihej 40 minuta rresht "Vritini shqiptarët, vritini shqiptarët! Vritini vëllezërit e kroatëve", këtë nuk e imagjinoja. Ashtu siç nuk imagjoja dot kurrë që retorika e Serbisë zyrtare pas ndeshjes do të ishte një zgjatim i koreve raciste, antishqiptare, të tifozëve të udhëhequr nga huliganë të dënuar ndërkombëtarisht, të cilët hynë edhe në fushë e goditën lojtarët tanë me karrige kokës! Po së dyti, dhe ky ishte kulmi, nuk mund ta imagjinoja dot kurrë që media perëndimore të humbte kaq keq drejtëpeshimin nën peshën e shtypit të propagandës shtetërore serbe e të shpallte botërisht tim vëlla si autorin e gjithë katrahurës, pa marrë as mundimin të dëgjonte në mos atë vetë një burim alternativ të burimit krejt të pavërtetë serb. Si mund të linçohet publikisht e botërisht nga tribuna prestigjoze e të mirënjohura për etikën e tyre një person, që as nuk pyetet për të dhënë opinionin e tij? Dhe si ka mundësi që vetëm e vetëm, pse i akuzuari është vëllai i kryeministrit të vendit të një skuadre kombëtare, që dhunohet psikologjikisht e fizikisht në një fushë mike, dhe vetëm e vetëm pse mbi stadiumin e vendit pritës fluturon një "flamur" me simbole kombëtarë të miqve, titujt e mëdhenj të merren me këto e jo me racizmin e me dhunën fizike të ushtruar haptaz ndaj lojtarëve miq në kualifikimet e kampionatit europian?! Jürgen Klopp e tha si zakonisht shumë shkoqur të vërtetën e thjeshtë dhe e mbaroi duke thënë se ajo ndeshje s'kishte lidhje me fair play-n. Po unë do të shtoja se as shumë gazeta e televizone, edhe në Gjermani, s'kishin lidhje me fair play-n deontologjik të gazetarisë! Sa për lojtarët tanë jam krenar se nuk ranë në kurthin e tmerrshëm të asaj dhune psiqike e fizike, luajtën më mirë se Serbia, patën më shumë raste e padyshim, shumë më tepër dinjitet në një fushë, ku ishte ndaluar jo vetëm çdo flamur shqiptar, po edhe çdo shall e distinktiv shqiptar edhe për 45 personat, që shoqëronin skuadrën kombëtare në tribunën VIP.
Sa i madh është rreziku i nacionalizmit "shqiptaromadh" për shtetet e rajonit?
Edi Rama: Shqipëria e Madhe është makth serb, jo projekt shqiptar! "Shqipëria e Madhe" nuk është në axhendën politike të asnjë partie politike në Shqipëri dhe as nacionalisti më ëndërrimtar shqiptar nuk sheh tek banderola e stadiumit të Beogradit Shqipërinë e vet të Madhe! Shqiptarët në shumicë dërrmuese duan "Europën e Madhe" me Shqipërinë, Kosovën e të gjitha vendet, ku ata banojnë në rajon, brenda BE-së! Ndërsa vetë nacionalizmi është padyshim një rrezik për rajonin, përderisa papunësia, varfëria, plagët e mëdha sociale në tërësi dhe qëndrimi jashtë Europës së Bashkuar janë fenomenë me impakt të madh shoqëror. Mos harroni po ashtu se Ballkani është një rajon jo vetëm multietnik, po edhe multifetar, çka bën shumë të vyer bashkëjetesën në paqe, që kemi arritur, po edhe shumë të madh potencialin eksploziv, në rast se paqja nuk ushqehet me projekte integrimi europian, bashkëpunimi, prodhimi e punësimi për vendet tona.
Si janë pozicionet e Shqipërisë ndaj shqiptarëve në vendet fqinje (Kosovë, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi)?
Edi Rama: Të qarta si drita e diellit: Të bashkuar drejt Europës!
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)