Emri i Linda Ramës, bashkëshortes (prej vitit 2010) të kryesocialisitit Rama është vendosur në qendër të akuzave politike për të ardhurat e saj. Linda u vu në shënjestër fillimisht nga familja e Kryeministrit e më pas nga Partia Demokratike e cila e shndërroi foltoren e selisë blu në thirrje të vazhdueshme për përgjigjen e shtatë pyetjeve të formuluara vetëm për pasurinë e bashkëshortes së Ramës, por që përgjigjen e prisnin nga vetë kryesocialisti Rama.
Në një intervistë për emisionin “Top Story” në Top Channel nga gazetari Sokol Balla, mbrëmjen e së enjtes (17 janar), zonja Rama tha se “ka një agresion të vazhdueshëm ndaj familjarëve të saj dhe kjo sipas saj ndodh për faktin se ajo është bashkëshortja e Ramës.” Bashkëshortja e Ramës tha se ditën që u njoh për herë të parë me akuzat ishte duke ndjekur online konferencën në Twitter të Edi Ramës.
Sipas zonjës Rama sulmet nuk kanë munguar edhe ndaj “gjyshërve të Edit, Kristaq Ramës, nënës së Edit, mamasë së djalit të Edit, kushërinjve të Edit qofshin këto të vërtetë, qofshin të sajuar.” Por sipas saj, kryesocialisti Rama nuk ka rënë pre e pritës së shpifjes.
Gazetari e nisi intervistën e “zonës së nxehtë”, ashtu siç mund të cilësohen pyetjet e rithëna sa e sa herë në deklaratat e Partisë Demokratike ku i kërkohet kryesocialistit Rama të japë përgjigje për pasuritë e bashkëshortes së tij.
RAMA NE TWITTER: KRENAR PER TY, TE DUAM SHUME
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, njëherësh bashkëshorti i Lindës pas përfundimit të intervistës televizive të Lindës, shkruan në rrjetin social Twitter. “Krenar për ty:) Je jo vetëm gjysma më e mirë po edhe shtylla e familjes sonë. Të duam shumë.”
KREDI 100 MILIONE LEKE? I KAM DHENE HUA MOTRES 70 MIJE EURO
A janë deklaruar në organet tatimore dhe a janë paguar taksat nga gruaja juaj për 100 milionë të kredisë pa interes? Është kjo pyetja e radhës e Partisë Demokratike e risjellë përmes gazetarit.
Zonja Rama e përgënjeshtroi si akuzë kur tha se nuk ka marrë asnjë kredi, por përkundrazi ka dhënë hua pa interes. Sipas saj as shuma nuk është e saktë, pasi bëhet fjalë për 70 mijë euro dhe jo 100 milionë lekë. Bashkëshortja e Ramës rrëfeu se e gjitha kjo shumë ka shkuar hua për motrën e saj, hua e cila ende nuk i është kthyer.
“Unë kam dhënë hua pa interes..unë kam dhënë 70 mijë euro hua pa interes, dhe këtë ja kam dhënë motrës sime...Ne tironsit kur japin hua për një nevojë të caktuar e japim pa interes dhe këtë e kemi bërë me një marrëveshje. Personi është i deklaruar me emër dhe mbiemër, por është në shtojcën konfidenciale të deklarimeve të pasurisë në ILDKP, për të mos cenuar privatësinë..ligji e lejon..”, deklaroi zonja Rama.
ORIGJINA E TE ARDHURAVE
“Origjina e huas të cilën ia dhashë motrës është nga kursimet e mia”, u shpreh Rama. Ajo shtoi se në ILDKP ka vënë në dispozicion edhe burimin e të ardhurave të saj, nga shumë punë dhe detyra që ka kryer.
“Të ardhurat e mia janë 6.5 milionë lekë në vit dhe burimet e të ardhurave janë nga paga, nga ekspertiza dhe një mjedis që i marr qera” deklaroi bashkëshortja e kryesocialistit Rama.
HISTORIKU I PALLATIT
Pyetjes së PD se “Cili është historiku i vërtetë i pallatit 5 katësh dhe një kat nën tokë i bashkëshortes dhe familjarëve të saj, të cilën PD pretendon se është ndërtuar në një tokë ku do bëhej lulishte?”, Linda Rama iu përgjigj duk thënë se është një pasuri e familjes së saj e fituar nga mundi dhe përkushtimi i tyre në pronën e të parëve të tyre. Pak ditë më parë Partia Demokratike protestoi duke mbledhur punonjësit e administratës në pallatin e ashtuquajtur të Lindës.Shikoni foton e pallatit dhe lexoni më shumë mbi protestën e PD-së
Sipas zonjës Linda në atë ndërtesë të ngritur në truallin e familjes Basha, banon vetëm xhaxhai dhe vëllai i saj . Zonja Rama tregon se hallat e saj ia lanë në trashëgim vetëm xhaxhait dhe babait të saj ndërsa ky i fundi më pas ia trashëgoi djalit, vëllait të Linda Ramës.
“Aty ka lindur babai im. Aty kanë lindur të gjithë pasardhësit e familjes sime”, deklaroi Rama. Sipas saj, shtëpia në kohën e komunizmit filloi të rrënohej dhe u bë e pabanueshme. "Por në kohën e komunizmit ishte e pamundur të bëheshin investime. Në 2004 babai im dhe xhaxhai im morën leje për ta rindërtuar e cila kishte qenë në themel të familjes sonë. Të gjitha hallat e mia kanë marrë me dëshirën e tyre vendimin t’ia trashëgojnë xhaxhait tim dhe babait tim...pastaj babai im ia trashëgoi vëllait tim.”
BANESE 3 KATESHE, JO 5, VETEM E XHAXHAIT DHE E VELLAIT TIM
Zonja Linda ka hedhur poshtë edhe akuzat e Partisë Demokratike se pallati është 5-katësh. Sipas Ramës: "Ky ndërtim është bërë vetëm për të jetuar dy familje, familja e xhaxhit dhe e babait, janë 3 kate dhe një papafingo dh një bodrum”
Linda Rama falënderoi të gjithë të afërmit e saj:
“Dua të falenderoj posaçërisht prindërit e mi, xhaxhain tim, të cilët kokëulur dhe me bindjen e tyre kanë investuar për atë shtëpi dhe ju desh në një moment të caktuar të tërhiqeshin në një vorbull agresioni të paprecedent, duke parë se si njollosej në media investimi i bërë prej tyre me djersën e ballit. Dua të falenderoj posaçërisht xhaxhain dhe vëllain, sepse mua më bënë që të mos ndihem tërësisht keq teksa shihja që xhaxhai, i cili ndonëse pensionist nuk e ka ndërprerë punën, për shkak të telefonatës së një fqinji i duhet të lerë punë dhe të shkojë në shtëpi, pasi tek dera kishte njerëz që nuk ishin dashamirës. Vëllai, pas dhjetë vitesh në emigracion, u kthye me dëshirën për të investuar të gjithë kursimet e veta në atë shtëpi në tokën e të parëve tanë. Ndërkohë, shikoja edhe nënën time, e cila është prej kohësh e sëmurë, e shikoja ashtu të trishtuar dhe ndërkohë përpiqesha që ta qetësoja e shikoja babain që vuante ndërkohë që të gjithë familjet e vjetra tiranase dhe qytetarët e vjetër e njohin si një njeri të urtë dhe të virtytshëm”, -deklaroi zonja Rama.
NUK KAM BASHKEPUNUAR ME BARJABEN
Sa projekte ka ndarë zonja Lindita Basha me Kosta Barjaben gjatë viteve të bashkëpunimit të ngushtë të tyre? Kësaj pyetjeje zonja Rama iu përgjigj se nuk ka bashkëpunuar me Barjabën në asnjë projekt.
“E njoh ashtu siç mund ta njihni dhe ju si një ekspert të çështjeve sociale dhe në mësimdhënie”, tha Rama. Megjithatë, shtoi ajo, "askush nuk duhet parë si një njeri që duhet sulmuar nga qeveria vetëm se ka bashkëpunuar me Kosta Barjabën”.
Sipas saj akuzat e pabaza të ardhura nga PD bëhen “thjesht për të tërhequr njerëzit në një rrugë gjykimi e cila është e çoroditur dhe e imponuar për të shkuar në drejtimet që ata duan.”
PYETJET E PARTISE DEMOKRATIKE
Partia Demokratike edhe një herë pyet zotin Rama:
1- Sa projekte ka ndarë zonja Lindita Basha me Kosta Barjaben gjatë viteve të bashkëpunimit të ngushtë të tyre?
Në rast se ka nevojë për dokumenta, ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë.
2- Cili është historiku i vërtetë i pallatit 5 katësh dhe një kat nën tokë i bashkëshortes dhe familjarëve të saj, ndërtuar në lulishten e pallateve me firmën tuaj?
3- A keni qenë ju në konflikt interesi në rastin e lëshimit të dy lejeve të ndërtimit për këtë pallat të bashkëshortes suaj dhe familjarëve të saj?
Lejet e ndërtimit për këtë pallat, janë lëshuar për një truall që mbante klasifikimin ligjor të sheshpushimit midis pallateve dhe për të cilat ligji shprehimisht i ndalon bashkitë të lëshojnë leje ndërtimi.
4- A ndjeheni përgjegjës, se ju për interesa familjare, keni shkelur ligjin me lëshimin e këtyre lejeve të ndërtimit?
Investitorë të pallatit në kohën e ndërtimit, rezultonin një pensionist dhe një i vetëpunësuar me të ardhura të pakta.
5- Si është paguar firma e ndërtimit të pallatit të gruas suaj Linda Basha, me para’, apo mos ndoshta firmat e ndërtimit janë shpërblyer me leje ndërtimi, kontrata të tjera të favorshme nga bashkia? Apo pallati është ndërtuar me para të gjobave 20%-she që të kanë paguar kompanitë e ndërtimit sipas akuzave të tyre publike?
6- Pse nuk është deklaruar as sot origjina e 100 milionë lekëve kredi pa interes që gruaja juaj Linda Basha ka dhënë apo marrë? Pse nuk deklarohet marrësi apo dhënësi i kredisë pa interes në ILDKP si ç'kërkon ligji i këtij institucioni?
7- A janë deklaruar në organet tatimore dhe a janë paguar taksat nga gruaja juaj për 100 milionë të kredisë pa interes?
INTERVISTA NE "TOP STORY" E LINDA RAMES
Zonja Basha, faleminderit për pranimin e kësaj ftese, që për ju nuk duhet të ketë qenë e lehtë të përgjigjeshit pozitivisht. Pikërisht, po e nis me pyetjen e parë, përse e pranuat këtë ftesë?
Arsyeja lidhet me nevojën për të komunikuar direkt me publikun, pasi në dy javë është bombarduar me informacion dhe akuza të drejtuara ndaj meje dhe familjes sime. Për të qenë e sinqertë, fillimisht prita që një media apo aktor tjetër të hetonte përtej deklaratave publike vërtetësinë e akuzave, gjë që në fakt nuk ndodhi. Prita që këta ta bënte edhe Instituti i Deklarimit të Pasurive, por as kjo nuk ndodhi. Për këtë arste, pashë të udhës që të jepja personalisht shpjegimet e përshtatshme.
Kur ju intevistuam në momentin kur lidhët martesë me zotin Rama, deklaruat se do të qëndronit e tërhequr nga intervistat, por duket e vështirë t’i rezistosh këtij betimi përballë pushtetit të partnerit tuaj.
E para, Edi sot nuk ka pushtet. Unë, për vetë natyrën time, gjithmonë kam preferuar që të jem në distancë të caktuar dhe të merrem me punët e mia. Unë e kam shumë të lehtë të rezistoj dhe këtë e bëj çdo ditë shumë lehtë, por në 2-3 raste ka qenë shumë e vështirë të refuzoja dhe kështu shpjegohen daljet e mia në media.
Ndryshe nga sa pretendoni, këtu nuk jam dakord, bashkëshorti juaj është një prej njerëzve më me pushtet në këto vite, përfshi 11 vitet e drejtimit të Bashkisë së Tiranës. Si u ndietë pikërisht në momentin kur u humb lufta për një mandat të katërt si kryebashkiak?
Mendoj se u ndieva si çdo njeri që ndoqi atë histori, atë vjedhje publike, por duke qenë pranë Edit, u ndieva edhe më ndryshe, edhe më pranë asaj ngjarje. Besoj se Edi i ka kushtuar shumë rëndësi këtij momenti tek libri i tij “Kurban”.
Si e përjetuat 21 janarin dhe 28 janarin?
Secili prej këtyre momenteve ishte shumë i vështirë. Janë këto momente të rënda dhe përcaktuese në jetën e një politikani dhe si bashkëshorte, më duhet të jem pranë e t’i përjetoj pak më ndryshe nga sa i përjeton pjesa tjetër e popullsisë.
Si u ndietë ndaj akuzave të para direkte ndaj jush?
Jam ndierë sikur po ecja në rrugë dhe sikur papritur dikush më doli përpara dhe më bëri një agresion verbal. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë.
Kur ishit atë ditë kur u bë kjo akuzë?
Atë ditë ka qenë e dielë. Unë isha duke ndjekur ne faqet online konferencën e Edit në “Twitter”. Për hir të së vërtetës, kam qenë pjesë e njerëzve skeptikë të përdorimit të “Twitter”-it nga Edi, pasi mendoja që kjo do të ishte e parakoshme, por me gjithë spekticizmin që e rrethonte Edin për këtë komunikim, nuk i mori parasysh skeptikët dhe filloi ta zhvillonte atë mjet komunikimi gradualisht. Duke iu rikthyer pyetjes, në atë moment pashë akuzat dhe për herë të parë u hutova, e më pas fillova të befasohem gradualisht me atë që thuhej, sepse e kuptova që ishin sigurisht të pavërteta dhe u ndieva e dhunuar nga të pavërtetat që dilnin dhe që reflektoheshin në faqen online. Sigurisht, më pas prita të kuptova deri ku shtrihej thellësia e këtyre akuzave. Lexoni këtu vazhdimin e intervistës
*Lajmi u publikua fillimisht në orën 21:10 dhe u përditësua në orën 23:10 të 17 janarit, përditësimi i fundit ora 07:00 18 janar
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)