TIRANE - Në gjykatën e Tiranës është zhvilluar seanca e radhës gjyqësore mes deputetit socialist, Taulant Balla, dhe dhëndrit të kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, në lidhje me akuzat e bëra publike nga selia rozë për pasurimin e familjes Malltezi.

Deputeti socialist ka pohuar para gjykatës se posedon prova dhe fakte për deklaratat e tij në drejtim të dhëndrit të kryeministrit.

Balla ishte i pranishëm në gjyq së bashku me avokatin e tij, ndërsa Jamarbër Malltezi, përfaqësohej në sallën e gjyqit vetëm më avokatin e tij mbrojtës. Balla ka pohuar në sallën e gjyqit se si deputeti ka për detyrë denoncimin e të gjitha rasteve apo shkeljeve të konstatuara dhe të bazuara në fakte.

Dhëndri i kryeministrit ka akuzuar deputetin socialist për shpifje dhe ka kërkuar dëmshpërblimin prej 20 milonë lekësh të vjetra lidhur me deklaratat e tij për pasurimin e familjes Malltezi.

Gjykata pasi u njoh me pretendimet e deputetit socialist vendosi që seanca e radhës të mbahej më datë 29 mars.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)