Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi ka reaguar pas lajmeve që kanë qarkulluar në media rreth aeroportit të Vlorës, çështje që sipas mediave po hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Në një postim në rrjetet sociale, Gazment Bardhi shkruan se korrupsioni me aeroportin e Vlorës ka kaluar çdo kufi.
Bardhi thotë se kjo aferë gjigande financiare është kthyer në rrezik për sigurinë kombëtare, ku duket se i referohet lajmeve që qarkulluan në media se mënyra se si ka vepruar Behgjet Pacolli me aeroportin ka ngritur shqetësime se ai mund të jetë duke krijuar korridor për interesa strategjike ruse në Shqipëri. Ai thotë se kjo megaaferë ka dy përgjgjës, Edi Ramën dhe zv.kryeministren Belinda Balluku.
“Korrupsioni me Aeroportin e Vlorës ka kaluar çdo kufi të imagjinueshëm edhe për vendet e botës së tretë. Një aferë gjigande financiare është shndërruar në rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. E pangjashme me asgjë më parë në këto 35 vjet, kjo megaaferë ka dy përgjegjës: Edi Ramën dhe Belinda Ballukun. Prandaj këta duan një opozitë memece në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj këta nuk duan as debat, as kontroll parlamentar, as pyetje, asgjë që i gërvisht aferat monstruoze të kësaj Qeverie.
I siguroj Edi Ramën dhe Belinda Ballukun se opozita nuk do të lejojë degradimin e Kuvendit dhe shndërrimin e tij në një organizëm memec, që kurdiset sipas interesit të Edi Ramës. Do të reagojmë, do të protestojmë në mbrojtje të funksionimit demokratik të Kuvendit dhe në mbrojtje të interesit publik. Gjithashtu, e siguroj Belinda Ballukun se me kryeaferën, që mban firmën e saj “Aeroporti i Vlorës”, do të merremi me seriozitetin më maksimal”, shkruan Bardhi.
Sipas mediave, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Të tre ata janë nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve
Gjykata e Tiranës një ditë më parë, me kërkesë të kompanisë 2A Group të Valon Ademit, mori masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.
Gjithashtu, në bazë të vendimit që publikoi gazeta 'TemA', pezullohet e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.
Komente












Edhe kush flasin ata qe i shiten Damir Fasllicit cfare kishin ne dore.
Përgjigju