“Për fatin e keq të Shqipërisë është provuar se Edi Rama, ky koalicion qeveritar prej ditës së parë e deri tani që po i vjen mbyllja e mandatit ka menduar vetëm për veten e vet, vetëm për xhepat e vet, vetëm për pasurimin e vet, vetëm për pushtetin e vet. Sepse një qeveri që erdhi me premtimin për 300 mijë vende pune dhe çoi 100 mijë shqiptarë refugjatë; Një Kryeministër që premtoi shëndetësi falas dhe e futi në gjendjen më mesjetare, më të zezë, më të vobektë, më të korruptuar që ka parë shëndetësia në këto 26 vite; Një Kryeministër që premtoi rend dhe siguri dhe që shumëfishoi krimin, drogën, vrasjet, nuk është në gjendje të tregojë një punë konkrete që i vlen qytetarëve, por që i tregohen me gisht me dhjetëra afera korruptive është varrmihëse e shpresës”.
Në Pukë ka me qindra hektarë tokë të mbjellur me kanabis nën mbrojtjen e policisë dhe pushtetarëve vendorë, theksuan qytetarët. Në 17% të territorit është 5- fishuar kultivimi i kanabisit në një vit. Nga 44.7 hektarë vitin e kaluar në 213.7 hektarë këtë vit, theksoi zoti Basha duke shtuar se kjo është vepër e Al Kaponeve në qeveri, në bashkëpunim të ngushtë me kartelin e drogës, është alternativa e Edi Ramës.
Edi Rama llomotit për orë të tëra por nuk thotë asgjë për krimin që mori pesë jetë njerëzish në dy ditë ndërkohë që ai rrihte gjoksin. Ministrit të tij i ishte trashur gjuha se iu kapën 21 tonë drogë. 21 tonë drogë janë akuza me fakte, për kriminalizimin që Edi Rama i ka bërë shtetit shqiptar. Është prova se demokratët, Partia Demokratike po thonin dhe thonë të vërtetën, që sipërfaqja e kultivimit është shumëfishuar dhe shtrihet anembanë Shqipërisë, si përgjigja e zezë, si alternativa e vetme që Edi Rama u lë fukarenjve që punojnë si skllevër sepse përfitimet i marrin një grusht njerëzish”.
(d.b/Shqiptarja.com)