Dita e Çlirimit, nuk mund të kalonte pa një ceremonial nga ana e nostalgjikëve të komunizmit.

Në varrezat e dëshmorëve, edhe pse në moshë të thyer, me këngë partizane veteranët, kanë ngjitur shkallët për tek memoriali i Dëshmorëve të kombit.

Disa prej të pranishmëve janë veteranë të Luftës Nacional Çlirimtare, të tjerë, thjesht simpatizantë të diktatorit Enver Xhoxha. 

Për mikronin e Report Tv dy prej veteranëve janë shprehur për aq sa mbanin mend nga lufta. 

“Lufta Nacional Çlirimtare është përpjekja më e madhe në Shqipëri nën flamurin e Skënderbeut dhe i mbaj mend rrugët e Tiranës të përgjakura me fashistët, ballistët dhe tradhtarët e vendit”,shprehet Abdullah Krutani.
 
“Në mbajmë mend nga Lufta Nacional Çlirimtare duke filluar qysh nga 7 prilli i 1939 kur të zinjtë italianë mbuluan me aeroplanë edhe luftuan me Mujo Ulqinakun”, thotë Asllan Brushtulli.
 
Përsa i përket debatit të fundit mbi moralin e partizanëve dhe partizaneve, Abdullah Krutani 95 vjeç dhe Asllan Brushtulli, 82 vjeç, i konsideruan shpifje dhe tradhti. Marrëdhëniet brenda luftëtarëve ishin thjesht marrëdhënie vëlla- motër. 

"Ato janë shpifje, ata ishin për luftën përgjigjeshin vetëm për luftën, ata donin vetëm luftë. Nuk ishin njerëz që merreshin me femra, ata femrat i kishin motra. Atëherë dëgjonin edhe fjalë tjera që thonin moskovitët kështu, moskovitët ashtu. Shikoni sot, ç’po bën rinia sot, ku e çuan rininë”, shprehet  Asllan Brushtulli
 
“Partizanët kanë shkuar si vëllezër e motra me njëri-tjetrit, këto i thonë tradhtarët”, tha Abdullah Krutani.

[gallery]19921[/gallery]

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com