Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili po përballet me një gjyq të gjatë për korrupsion, i paraqiti një kërkesë zyrtare presidentit të vendit për ta falur atë.

Në një deklaratë Netanyahu, i vetmi kryeministër në detyrë në historinë e Izraelit që del në gjyq, tha se çështja e kishte ndarë vendin dhe një falje do ndihmonte në rivendosjen e unitetit kombëtar.

Zyra e Presidentit Isaac Herzog iu përgjigj se ishte një kërkesë e jashtëzakonshme që mbart implikime të rëndësishme dhe se do e shqyrtojë pasi të marrë të gjitha mendimet përkatëse.

Letra drejtuar presidentit Isaac Herzog u depozitua të enjten dhe u bë publike të dielën. Në të, Netanyahu thotë se gjyqi i tij është shndërruar në “qendër të një polemike të ashpër” dhe se mban “përgjegjësi të gjerë publike”, për shkak të ndikimit të çështjes në vend.

Ai thekson se personalisht është i interesuar të provojë pafajësinë në gjykatë, por sipas tij “interesi publik kërkon të veprohet ndryshe”. Kërkesa nuk përmban asnjë pranim faji dhe as ndonjë angazhim për të ardhmen e tij politike, ndërkohë që Netanyahu ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit publik.

Kërkesa e Netanyahut vjen pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i dërgoi një letër presidentit Herzog duke i kërkuar atij që ta falte plotësisht.

Netanyahu është përballur me tre akuza korrupsioni në vitin 2019, ndër të cilat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit. Ai i mohon akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm.