Zgjedhjet vendore të 9 majit mund të tingëllojnë larg, por sipas kalendarit politik, Ervin Salianji e cilëson opozitën se është me vonesë për shpalljen e kandidatëve.

Gjatë diskutimit në “Studio Live” në Report Tv, ish-deputeti shprehet se PD nuk ka kandidatë për 90% të bashkive. Salianji bën përgjegjës Sali Berishën për rënien e protestës dhe shton se gjenerata Z s’ka asnjë arsye për ta mbështetur kryedemokratin kur kërkon largimin e tij.

“Opozita është e vonuar në të gjitha proceset. Jemi 3-4 muaj para fushatës elektorale, muajt e fundit ecin shumë shpejt. Është e vonuar në përzgjedhjen e kandidatëve, bërjen e aleancave, njohjen e një realiteti të ri që është protesta. Fokusi duhet të vendosej te largimi i Ramës, por e prishi protestën. Dalja e Sali Berishës në protestë, e qëllimtë për ta prishur. Ç’punë ka të shkojë atje? Çfarë do të bëjë në datë 28 ai? Një protestë që kërkon largimin e Edi Ramës dhe Sali Berishës. Nëse Berisha po mos të kishte interesin personal ose trajtimin si biznes të partisë, do të kishte dalë në protestë kundër vetes. Në 36 vite të mërzitet edhe vetja. Gjenerata Z e të tjerat bëjnë betejën për të pasur ndryshim pse të bëjnë betejë për një njeri që ka 36 vite në politikë. Sali Berisha nuk ka kandidat në pothuajse 90% të bashkive. Nuk ka kandidat. Sot PD duhet të kishte kandidatët për 46 bashkitë që la reforma e re. Opozita mund të fitojë nëse bën një hap pas Berisha”, tha Salianji.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:18
Zgjedhjet 2027, Salianji ‘sfidon’ Berishën: Është barrë për garën, PD do të fitonte me mua! Gati të kontriboj për opozitën

1795192567_salianji.jpg

Ervin Salianji është i bindur se nën drejtimin e tij, Partia Demokratike do të ishte fituese në zgjedhjet vendore 2027. Nga ‘Studio Live’ në Report Tv, ai shpreh gatishmërinë për të kontribuar për opozitën.

Njëkohësisht, ka një sfidë të hapur për Sali Berishën që e quan “sëmundje” e “barrë” për opozitën.

“Të më thonë se në cilën zonë duan të jap kontribut dhe do të jem aty për opozitën, edhe unë mund të fitoj prapë aty ku do të jem. Ma kanë ndaluar me ligj për këto zgjedhje. Nëse PD thotë shiko po të vish ti këtu ne fitojmë, do të jem aty. Barra më e rëndë e opozitës është Sali Berisha. Që ta shërosh një sëmundje duhet ta identifikosh atë, ne duhet të bëjmë një garë duke tërhequr edhe ca thasë mbrapa që është Berisha”, tha ish-deputeti.

Suksesin e tij potencial, Salianji e mbështet te betejat e shkuara politike.

“Po të isha unë s’ka diskutim që do të fitonte shumicën. Kam treguar që i fitoj edhe kur duket e pamundur”, shprehet ai.

Plani për t’iu rikthyer aktivisht politikës do të vijojë fillimisht me takimet me qytetarët, disa prej të cilave do të jenë edhe publike.

“Do të vazhdoj prapë takimet në këtë periudhë. Kam bërë takime nëpër qytete. Do të ketë takime me struktura e qytetarë. Disa do të jenë edhe publike, për të dëgjuar ata më shumë. Unë do të them mendimet e mia pse PD nuk fitoj dot me Sali Berishën, tani do të dëgjoj qytetarët dhe të gjejmë zgjidhje”, tha Salianji.

Ora 17:45
‘Sali Berisha gogol’, Salianji: Rama e mban për të trembur qytetarët! Po të dorëhiqet ai, kryeministri do të rrëzohet brenda muajit

1795191100_salianji.jpg

Largimi i Sali Berishës nga Partia Demokratike është çelësi që protestuesit të mundësojë rrëzimin e kryeministrit Edi Rama, thotë Ervin Salianji.

Ish-deputeti demokrat pohon në “Studio Live” në Report Tv se i beson teorisë që dy rivalët politikë ‘bashkëpunojnë’ për të mbajtur njëri-tjetrin në pushtet. Sipas tij, Rama e përdor Berishën si ‘gogol’ për të trembur qytetarët.

“Edi Rama është i interesuari kryesor dhe e mban në bashkëqeverisje Sali Berishën. Kostot politike që duhet t’i vijnë Ramës nga shkërmoqja brenda vetes, nga një protestë, të gjitha këto janë kosto që do t’i ketë në zgjedhje, por mban atë që bën gogolin, Sali Berisha përpara dhe qytetarët tremben.

Është një sistem i bllokuar që duan ta mbajnë të dy, siç edhe protestës i vunë shkelmin të dy. Të gjithë kandidatët që kanë fituar bashkitë kanë qenë kundër linjës së Berishës. Nëse Berisha jep dorëheqjen sot, i jep mundësi qytetarëve ta hedhin Ramën brenda një muaji”, tha Salianji.

Ora 17:28
Spiropali akuzoi Ballukun për presion, Salianji: E bëri pas largimit nga funksionet! Në PS luftojnë për ‘dashurinë’ e Ramës

1795191048_salianji.jpg

Akuzat e Elisa Spiropalit kundrejt Belinda Ballukut se kjo e fundit i ka bërë presion përmes drejtorit të Tatimeve, Ilir Binajt, ish-deputeti Ervin Salianji shprehet se kanë ardhur pasi ajo u përjashtua nga forumet e Partisë Socialiste.

“Akuzat e Spiropalit tregon një lloj dinjiteti dhe personaliteti të vetin, por jo pasi largohesh nga funksionet. Së dyti, janë akuza penale. Nëse Spiropali thotë që kjo më ka vendosur shtetin mua për të më kërcënuar politikisht, jemi në kushtet e një lufte”, tha Salianji në “Studio Live” në Report Tv.

Situatën e kohëve të fundit brenda kampit rozë ish-deputeti i PD e sheh si “luftë për dashurinë e Ramës”. Ai komenton edhe përplasjen e Erion Veliajt me kryeministrin, duke thënë se kryebashkiaku ndodhet në kushte të pabarabarta për shkak të izolimit.

“Këta luftojnë të gjithë për dashurinë e Ramës. në kuptimin e pushtetit. Ajo del e thotë është mentori im, njeriu im, kjo tjetra thotë merr vendimmarrjet. Spiropali kishte mundësinë një muaj më parë, kur u votua reforma territoriale, e votoi, bashkë me Braçen. Veliaj është në një luftë me kushedi sa hapa vonesë dhe është i izoluar. Lufta në kushtet e burgut nuk është e njëjtë. Pamundësia që të jep izolimi për të bërë luftë politike... Veliaj e ka thënë politikisht, por me shumë hapa vonesë. Njëfarë kostoje e ka në këtë betejë Edi Rama sepse janë gjithë bashkëpunëtorët e vet që po dalin dhe po thonë gjëra, atë që ne themi prej vitesh, sistemi që ka prodhuar Edi Rama po prodhon këtë lloj përplasjeje. Në PS, njerëz që i ka ndihmuar Veliaj, nuk po shoh të dalin e të thonë ky njeri po trajtohet në mënyrë të padrejtë. Aty ka vetëm një gjurmë, forca ose interesi. Këta kanë qenë kolegë dhe Veliaj kur ka qenë jashtë nuk ka thënë asgjë për Beqajn, Tahirin, Ahmetajn, kur iu shkon te vetja, del që problemi është Rama”, u shpreh Salianji.

Më tej, ish-deputeti thotë se kriteret e përzgjedhjes në PS janë reduktuar duke dëmtuar sistemin politik.

“Të gjithë njerëzit nga të cilët Edi Rama ka marrë pushtetin, ka djegur një brez socialistësh. Edi Rama ka rrëzuar kriterin politik të funksionimit të politikës. Politika është katandisur kështu prej sistemit zgjedhor se i vendosin këta dhe bëjnë llogari veten e familjen e vet, po qenë mirë ata, u duket sikur Shqipëria është dritë. Në Shqipëri, debati politik nuk ka më të njëjtën vlerë. Demokracia kërkon kultivimin e kulturës demokratike”, tha deputeti.