SHKODËR-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi i ktheu një përgjigje ambasadorit të BE-së në Tiranë që dje bëri apel për nisjen e një dialogu qeveri-opozitë duke filluar nga reforma zgjedhore për kapërcimin e krizës politike. Por PD-ja ka disa kushte për nisjen e dialogut, të cilat i bëri të ditura sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike. 

"Kam pasur një reagim për kërkesën e ambasadorit të BE-së për palët politike. Kjo është një përpjekje e tyre për të ndihmuar për daljen nga kriza, por dialogu duhet të jetë i sinqertë, që nuk e zgjidh krizën tani dhe e rikthen sërish. Dialogu i sinqertë synon evidentimin e shkaqeve që e kanë çuar vendin këtu sot dhe marrjen e përgjegjësive të tyre. Shqiptarët nuk kanë nevojë për pazare, apo marrëveshje që zgjidhin kriza momentale" tha ai.

Partia Socialiste ka shprehur shpesh vullnetin e saj për dialog me opozitën, edhe pasi ajo u largua në shkurt nga parlamenti. Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla përsëriti të enjten në Kuvend se shumica dëshiron të komunikojë me opozitën jashtë parlamentare, dhe dora për dialog mbetet përherë e shtrirë drejt saj.

Megjithë ftesat dhe deklaratat e vazhdueshme, shenjat për dialog mes forcave politike shqiptare ende nuk shihen, dhe opozita ka paralajmëruar një rifillim të protestave. "Javën tjetër vendosim për strategjinë" tha Bardhi.  Ai tha se PD nuk synon mbylljen e derës së integrimit por plotësimin e kushteve nga ndërkombëtarët, ku në thelb janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Partia Demokratike do të publikojë javën e ardhshme dokumente të tjera të cilat vërtetojnë sipas selisë blu akuzat e ngritura ndaj kryetarit të Bashkisë Vau Dejës Mark Babani. Një fakt i tillë është bërë publik, nga numri dy i PD-së Gazmend Bardhi i cili ishte në Shkodër në kuadër të procesit të zgjedhjeve të sekretariateve në degën e PD Shkodër.

"Shkodra, Vora dhe Vau i Dejës janë tre rastet më të fundit të zbuluara. Edhe Valdrin Pjetri e mohoi dënimin e tij në Itali, por më pas u detyrua ta pranonte. Në momentin që PD-ja bën një denoncim ka informacionin e nevojshëm që vërteton akuzën. Ne i jemi drejtuar prokurorisë për të kryer një proces ligjor, por nuk do të presim në pafundësi. Në fillim të javës që vjen cdo informacion i disponuar nga ne do i bëhet i ditur publikut.

Do u premtojmë qytetarëve dokumentacionin e plotë që kemi me këtë rast. Duke nxjerrë aq informacion që është e nevojshme për këtë moment. Prokurorisë për rastin e Pjetrit dhe Kajmakut u kemi vendosur në dispozicion më shumë dokumente se kemi publikuar. Të njëjtën jemi duke ndjekur edhe me rastin e Mark Babanit, apo katër apo pesë emrat e tjerë që ka përdorur në të shkuarën" tha Bardhi.

Partia Demokratike në datë 10 shtator i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e Mark Babanit, kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, pasi sipas selisë blu dyshohet se ka fshehur ndalime, dënime dhe dëbime nga Italia dhe Maqedonia e Veriut.

PD Shkodër ka zhvilluar sot procesin e zgjedhjeve të sekretariateve ku janë caktuar 4 sekretar për cështjet organizative ndërkohë që është miratuar edhe bordi i këshilltarëve i cili do të monitorojë dhe adresojë cështje të cilat lidhen me disa fusha të ndryshme.