Akuzat për vrasje, Meta: Doshi
i ndërron porositësit çdo 6 muaj

Akuzat për vrasje, Meta: Doshi<br />i ndërron porositësit çdo 6 muaj
TIRANE -  Një ditë pas deklaratave të forta që artikuloi deputetit Tom Doshi në adresë të kryetarit të Kuvendit se ka paguar per nje atentat ndaj tij, Ilir Meta ka zgjedhur të reagojë vet para mediave, ndonëse çka pritej zyrtarisht ishte një prononcim nga numri dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili.

Kryetari i Kuvendit sqaroi se 5 muaj më parë është vënë në dijeni nga vetë deputeti Doshi se Agim Rama, kunati i ish-kryeministrit Berisha, ka paguar 500 mijë euro për elemimin fizik të tij dhe të deputetit demokrat Mëhill Fufi. Kjo, sipas Metës, “me qëllim destabilizimin politik të vendit, duke krijuar alibinë se në këtë çështje është i përfshirë Kreu i Kuvendit”. Kryeparlamentari Meta tha se në atë kohë ka kërkuar takim me ministrin Tahiri, kryeprokurorin Llalla dhe kreun e Komisionit të Sigurisë Spartak Braho, ku i ka kërkuar zbardhjen e këtyre akuzave. Meta tha se ka dijeni që vetë deputeti Doshi është bërë pengesë për zbardhjen e ngjarjes.

 Kryetari i kuvendit Ilir Neta shtoi me siguri se nuk ka asnjë provë që mund ta impllikojë atë në ato çka akuzon Doshi. Meta tha se nuk i njeh arsyet për të cilat Doshi ndërroi tashmë dëshmi kur tha se porositësi i vrasjes nuk eshte Agim Rama por kryeparlamentari.
 
Duke iu drejtuar opozitës, e cila sipas tij është futur në garë “se kush i shpreh më shumë dashurinë Doshit”, Meta këshilloi veçanërisht Bashën, që të bëjë kujdes në vijim pasi pas 6 muajsh porositës i atentatit të Doshit mund të dalë kunati i tij.
 
“Kam një këshillë për kryetarin formal të PD që të jetë i kujdesshëm, sepse Doshi i ndërron porositësit çdo 6 muaj. Nëse para 6 muajsh porositës ishte kunati i Berishës, dje dola unë, kam frikë se porositësi i radhës do të jetë kunati i Bashës”, tha Meta.

Meta shtoi në fjalën e tij për mediat, se pas përjashtimit nga Partia Socialiste, nuk e habisin aspak deklaratat e Tom Doshit, ndërsa mbeshteti vendimin e grupit socialist per masen qe mori ndaj tij. 

Fjala e plote e Metes per gazetaret

Gazetarët: Çfarë komenti keni lidhur me akuzat e deputetit Tom Doshi?
Meta: Cilat akuza? Për ato para një jave apo të djeshme? Nuk jam habitur aspak nga akuzat e djeshmet Doshit pas përjashtimit të tij nga PS. Veprim që e përshëndes plotësisht, për arsye, se është një veprim mjaft i qartë për të ndarë politikën nga shantazhi dhe për ti dhënë fund praktikave mbi personin e qeverisjes së vendit.

Gazetarët: Po për akuzat e djeshme se ju keni porositur një person për të vrarë deputetin Tom Doshi?
Meta: Merreni me qetësi këtë gjë. Lidhur me versionin e djeshëm, nuk habitëm për të, pas vendimit të grupit të PS për përjashtimin e tij. Unë pjesën serioze e kam konsumuar prej muajsh, pra shqetësimin e deputetit në fjalë sipas versioni të parë, i bërë i ditur prej tij, jo vetëm për mua por edhe për persona të tjerë me përgjegjësi institucionale, se ndaj tij po përgatitej një atentat ku porositësi dhe paguesi kryesor ishte kunati i ish-Kryeministrit Berisha, zoti Agim Rama, gjithmonë sipas versionit të tij të atëhershëm, i cili do të paguante 500 mijë euro për eliminimin e tij dhe të deputetit Mëhill Fufi, me qëllim destabilizimin politik të vendit, duke krijuar alibinë se në këtë çështje i përfshirë Kreu i Kuvendit Ilir Meta. Që në atë kohë unë jam takuar me Ministrin e Brendshëm, me Prokurorin e Përgjithshëm, takime këto edhe në prani të Kreut të Komisionit të Sigurisë Spartak Braho, i cili dje bëri një deklaratë. Dhe kam kërkuar marrjen e masave për zbardhjen e kësaj historie dhe vendosjen e personave të dyshuar para përgjegjësisë. Në dijeninë time, deri dje i vetmi person që ka penguar zbardhjen e kësaj çështje rezulton deputeti Doshi. Nuk mund të flas në emër të Prokurorisë apo policisë. Veprimet e mia kanë qenë të përgjegjshmë, në përputhje me ligjin, dhe është e drejta e deputetit në fjalë të ndërrojë versionet e atentatit ndaj tij çdo 6 muaj.

Gazetarët: Akuzat direkte ndaj jush janë për shkak se Rama e përjashtoi nga PS. Ai ishte vendimi i Ramës përse duhet të ju akuzonte ju?
Meta: Nuk  e di kush është interesi i tij, di variantin që dinë edhe shumë të tjerë dhe janë të gatshëm të dëshmojnë, ndërkohë që deputeti në fjalë është i vetmi pengues i zbardhjes së të vërtetave dhe është i inkurajuar nga ana ime që atëherë dhe aq më shumë sot që t’i ekspozojë gjithçka që ai disponon, pasi në këtë mënyrë do të tregonte seriozitetin e tij në këtë çështje.

Gazetarët: A keni qenë prezentë sot në takimin ndërmjet Kryeministrit Rama, Kryeprokurorit Llalla dhe Ministrit Tahiri?
Meta: Nuk kam ndërmend të merrem me çështje që mund të ju interesojnë ju, nuk jam këtu për këtë gjë, por jam për të ju thënë se pjesën serioze të kësaj çështje e kam konsumuar prej 5-6 muajsh. Kam kërkuar të bëhen hetime, të zbardhet kjo çështje, të merren në mbrojtje deputetët sepse kam qenë realisht i shqetësuar. Nuk mund ta fsheh zhgënijimin tim për entuziazmin dhe për garën e shpërthuyer në radhët e opozitës, ndërmjet kreut real dhe atij formal për të shprehur dashurinë për Doshin. Është e drejtë e tyre të zgjedhin atë si simbol të së vërtetës, të moralit, të luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vetëm se kam një këshillë për kryetarin formal të PD që të jetë i kujdesshëm në deklaratat e tij, sepse zoti Doshi e ka gjithmonë një variant në mendje, sepse i ndërron porositësit çdo 6 muaj. Para 6 muajsh porositës ishte kunati i Berishës, dje dola unë, por kam frikë se porositësi i radhës do të jetë kunati i Bashës.

Gazetarët: Deputeti Doshi thotë se ka provë një video për akuzat e bëra?
Meta: Unë mund të ju them me bindje të plotë se nuk ka asnjë fakt apo dëshmitar, që mund të provojë implikimin e Kreut të Kuvendit në një skenar të tillë, përkundrazi jam i bindur që ekzistojnë shumë dëshmitarë që  provojnë versionin e paërë dhe origjinal që porositës ishte kunati i Berishës, me qëllim destabilizimin politik të vendit për llogari të Berishës, duke akuzuar Metën.

Gazetarët: Dje opozita ka kërkuar dorëheqjen tuaj?
Meta: Opozita është e drejtë e saj të kërkojë gjithçka që dëshiron dhe është e drejtë e saj ta mbajë fort zotin Doshin si simbol të së vërtetës, të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe nuk shqetësohem aspak me garën ndërmjet doktorit dhe  Lulit për të shprehur dashurinë për zotin Doshi. 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron