Akuzat Tiranë-Romë, investitorët e energjitikës hedhin në gjyq qeverinë italiane

Akuzat Tiranë-Romë, investitorët e energjitikës hedhin në gjyq qeverinë italiane

Foto ilustruese

Investitorët e huaj janë ankuar vazhdimisht se hasin vështirësi të ndryshme në Shqipëri. Këto, nisur nga pengesat burokratike, korrupsioni në Ekzekutiv apo gjykata, mungesa e një mbrojtjeje efikase të investimeve nga shteti shqiptar, etj. Kritika të këtij lloji hasen në të gjitha mbledhjet vjetore të grupimeve të investitorëve të huaj që operojnë në vendin tonë.

Por një padi e ngritur së fundmi nga një grup investitorësh italianë, jo në Shqipëri, por në Itali, tregon qartë se pengesat nuk ekzistojnë vetëm në terrenin shqiptar.

Problemi 

Sikurse njofton agjencia italiane e lajmeve ANSA, janë shtatë kompani italiane të cilat kanë ndërmarrë një ankesë gjyqësore. Konkretisht, ato janë: “Biopower Green Energy” (shoqëri e grupit të madh “Marseglia”), e cila ka në projekt një linjë prodhimi dhe interkonjeksioni me vlerë 600 milionë euro në Shqipëri për prodhimin e energjisë së rinovueshme elektrike, sëbashku me shoqëritë “Albanian Green Energy”, “Essegei”, “Etea Rinnovabili”, “Emmequattro”, “Silvio Allamandi” dhe “Hydro Power Plant” e Korçës.

Të gjitha ato kanë investuar apo planifikojnë të investojnë në vendin  tonë shifra të konsiderueshme në fushën e energjisë që përfitohet nga energjia diellore, era, biomasa apo uji. Pra, nga burime të energjisë së rinovueshme, me procese prodhimi që nuk dëmtojnë natyrën dhe nuk sjellin mbetje. Për pasojë, edhe qeveritë shqiptare në vite u kanë lëshuar atyre licensat përkatëse, në bazë të të cilave janë siguruar financimet, janë organizuar dhe kryer punime voluminoze, por ndërkohë ka lindur një problem tjetër. Jo nga pala shqiptare.

Kompanitë italiane i kërkojnë qeverisë së tyre që të zbatojë angazhimet lidhur me importimin e energjisë “së gjelbër” nga Ballkani dhe konkretisht nga Shqipëria. Në fakt, licensimi i tyre nga shteti shqiptar u jep atyre mundësinë që energjinë e prodhuar ta shesin në tregun e lirë, pra edhe mund ta eksportojnë nga Shqipëria në drejtim të Italisë nëpërmjet linjave ndërkombëtare që kalojnë në vende të ndryshme fqinjë.

Firmat italiane, duke patur parasysh një marrëveshje midis dy qeverive, asaj shqiptare dhe asaj italiane, i janë drejtuar qeverisë së tyre, duke kërkuar incentiva për eksportimin e energjisë së gjelbër nga Shqipëria, që kanë lidhje me marrjen e “çertifikatës së gjelbër” nga qeveria italiane. Kjo është një formë nxitjeje, që përdoret për të shtyrë subjektet të investojnë në energjinë e pastër. Porn ë vendin fqinjë, ndërkohë, ka patur përplasje të natyrave politike lidhur me ato objekte që mund të marrin apo jo çertifikatën, e cila siguron edhe lehtësira të natyrës fiskale.

Kompanitë italiane venë në dukje, në padinë e tyre, që është dorëzuar në Gjykatën Administrative Rajonale të Lazios, se kërkesës së tyre në këtë drejtim, të dorëzuar në institucionet përkatëse qeveritare italiane më 4 gusht 2017, nuk i është dhënë asnjë përgjigje. Kjo tregon, me sa duket, që qeveria italiane mund të ketë ndryshuar mendim që nga maji i vitit viti 2006, kur është nënshkruar marrëveshje Itali-Shqipëri, që hapi rrugën për çertifikimin e këtyre kompanive që investuan në Shqipëri. Kjo mund të ketë të bëjë me një ndryshim të politikave në vendin fqinjë, ndonëse do të dukej absurde një heshtje e tillë, në një kohë kur energjia është kthyer në një pikë të dobët të ekonomisë botërore dhe Italisë i sigurohen në këtë mënyrë burime shtesë.

Në fakt, as Kryesia italiane e Këshillit të Ministrava dhe as ministritë përkatëse nuk kanë kthyer përgjigje për këtë ankesë. Çka ka bërë që kompanitë t’i drejtohen gjykatës për vendimin përkatës. Ato kanë kërkuar edhe që të merret një vendim, me anë të të cilit qeveria italiane të gjejë sëbashku me qeverinë shqiptare, me të cilën ka nënshkruar marrëveshjen përkatëse, zgjidhjen për aplikimin e incentivave, qoftë edhe duke ndryshuar klauzolat e marrëveshjes, në rast se pengesa është në marrëveshjen.

Por edhe Gjykata Administrative nuk është shprehur me një vendim, duke e mbyllur kapitullin që në fillim: ka refuzuar ta pranojë padinë p[ër gjykim, duke e konsideruar qendrimin e qeverisë normal, pasi nuk ka një detyrim administrative, por ka lidhje me politikën.    

Absurdi

Kompanitë kanë të drejtë të shqetësohen nga një qendrim i tillë i qeverisë italiane. Pavarësisht nga shprehja e asnjëanësisë nga ana e Gjylatës Administrative të Lazios, ekzistojnë raste të shumta të dhënies së çertifikatave të gjelbra edhe në rastet e importimit të energjisë së rinovueshme nga vende të treta, që i referohen edhe një ligji italian, 28/2011, edhe për sasi më të vogla të energjisë.

Madje ato kanë propozuar edhe ta rritin sasinë e energjisë që do të sillnin në Itali nga Shqipëria, në rast se sasia e madhe do të ishte kusht për dhënien e incentivave.

Sipas mendimit të gjyqtarëve të Gjykatës Administrative, duke qenë se fjala është për një marrëveshje midis shteteve, ankesa e kompanive italiane nuk mund të dorëzohet as edhe në Gjykatën e Arbitrazhit të Parisit, ku mund ta çonte vetëm njeri nga shtetet nënshkrues, por jo subjektet private.    

Ajo çka ndodh në Itali, është problem i subjekteve italiane dhe qeverisë së tyre. Por, në këtë lojë nuk mund të qendrojë indiferente as qeveria shqiptare, e cila do të kishte një burim të konsiderueshëm të ardhurash nga eksporti i energjisë së përfituar me burime, që ajo vetë nuk i ka në dispozicion, ndërkohë që këto kompani në objektet e tyre punojnë edhe shumë shqiptarë. Në fund të fundit, këto investime janë bërë në vendin tonë dhe ato duhet të vijojnë të prodhojnë dhe jo të kenë fatin e interkonjeksionit me Kosovën, apo të termocentralit të Vlorës.

Ndërkohë, në fushën e investimeve në energjinë e rinovueshme shqiptare kanë hyrë edhe subjekte të tjera. Kështu, një projekt është paraqitur nga ana e firmës së njohur gjermane “Max Streicher”, ndërkohë që projekti i italianes tjetër “ENEL” vitin e kaluar mori dritën jeshile nga ana e Këshillit të Shtetit italian.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Denoncuesi 'anonim' i Veliajt dhe opozitarët e marrë me qira kundër tij

Mero Baze: Denoncuesi 'anonim' i Veliajt dhe opozitarët e marrë me qira kundër tij