Shefi i sigurisë kibernetike i Gjermanisë, Arne Schönbohm është shkarkuar pas akuzave se ka lidhje me Rusinë me anë të një shoqate që ka themeluar ai më parë. Prej vitit 2016, Schönbohm ka udhëhequr Autoritetin Federal të Sigurisë Kibernetike (BSI), i ngarkuar me mbrojtjen e komunikimeve qeveritare.
Mediat gjermane e kanë akuzuar atë se ka pasur lidhje me persona të përfshirë me shërbimet e inteligjencës ruse. Ministria e Brendshme po heton akuzat e bëra kundër tij, ndërsa e kanë shkarkuar nga posti menjëherë. Schönbohm është vënë nën vëzhgim për lidhjet e tij të mundshme me një kompani ruse pas një deklarate nga Jan Böhmermann, drejtuesi i një prej shfaqjeve televizive më të njohura në Gjermani.
Përpara se të drejtonte BSI-në, Schönbohm ka ndihmuar në krijimin dhe drejtimin e Këshillit të Sigurisë Kibernetike në Gjermani, një shoqatë private që këshillon bizneset dhe politikëbërësit për çështjet e sigurisë kibernetike. Ai thuhet se ka mbajtur lidhje të ngushta me shoqatën dhe ka marrë pjesë në festimet e 10 vjetorit të tyre në shtator. Një nga anëtarët e shoqatës ishte një kompani e sigurisë kibernetike e quajtur Protelion, e cila ishte një degë e një firme ruse që thuhet se ishte krijuar nga një ish-anëtar i KGB-së.
Protelion u hoq nga shoqata fundjavën e kaluar dhe Këshilli i Sigurisë Kibernetike në Gjermani thotë se pretendimet për lidhje me inteligjencën ruse janë të pavërteta. Një zëdhënës i Ministres së Brendshme Nancy Faeser konfirmoi se shkarkimi i Schönbohm kishte ardhur si përgjigje ndaj raporteve të fundit, duke thënë: "Sfondi i kësaj janë jo vetëm akuzat e zbuluara dhe të diskutuara gjerësisht në media. Besimi i nevojshëm i publikut në neutralitetin dhe paanshmërinë e udhëheqjes së tij si president i agjencisë më të rëndësishme gjermane të sigurisë kibernetike është dëmtuar".
Media gjermane Der Spiegel raportoi më herët se zoti Schönbohm kishte kërkuar që të hapeshin procedime disiplinore formale kundër tij, pasi nuk mori asnjë "feedback" nga qeveria pas akuzave fillestare. Ai tha se nuk e dinte ende "çfarë ka shqyrtuar ministria dhe si duken akuzat konkrete ndaj meje".