Seanca e parë gjyqësore ndaj analistit Fatmir Sheholli do të mbahet më 7 shtator, në orën 09:30, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku do të shqyrtohet aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës për spiunazh dhe shantazh.

Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se, në një periudhë të pacaktuar deri më 9 tetor 2025, ka bashkëpunuar me Shërbimin Informativ dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA), duke vepruar sipas udhëzimeve të Bojan Dimiçit, i identifikuar në dosje si drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në kuadër të këtij shërbimi.

Prokuroria pretendon se ai ka mbledhur dhe u ka përcjellë zyrtarëve të BIA-s informacione dhe dokumente që lidhen me zhvillimet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës. Sipas dosjes, komunikimi mes tyre është zhvilluar edhe përmes mesazheve telefonike.

Në aktakuzë janë përfshirë edhe një sërë deklaratash publike të Shehollit për Milan Radoiçiqin. Sipas Prokurorisë, në disa dalje mediatike ai kishte shprehur bindjen se Radoiçiq ishte i pafajshëm për akuzat që lidhen me vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, ndërsa kishte deklaruar se atij duhej t'i jepej mundësia të provonte pafajësinë. Në materiale përfshihen edhe deklarime të tjera ku, sipas Prokurorisë, Sheholli e paraqiste Radoiçiqin si një person me ndikim pozitiv në veri të Kosovës.

Në dosje përmendet gjithashtu një paraqitje televizive në emisionin "Kojshia Show", më 11 qershor 2023, ku Sheholli zhvilloi drejtpërdrejt një bisedë telefonike me një person që në aktakuzë identifikohet si Milan Radoiçiq.

Një pjesë e rëndësishme e aktakuzës lidhet me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Prokuroria pretendon se më 26 shtator 2025 Sheholli udhëtoi në Mitrovicën e Veriut, ku në parkingun e Shkollës Teknike mori nga një person i paidentifikuar një dosje me audio-incizime dhe transkripte, si edhe 5 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, materialet kishin si synim komprometimin e ministrit Nenad Rashiq dhe zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Më tej, pretendohet se Sheholli ia dorëzoi gazetarit Milaim Zeka materialet, bashkë me 1 mijë euro dhe premtimin për një shumë tjetër prej 1 mijë eurosh, duke i kërkuar që publikimi të bëhej në emisionin "Pa Rrotlla" pak ditë para zgjedhjeve lokale, me qëllim ndikimin në procesin zgjedhor dhe dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, ai i kishte thënë gazetarit se materialet vinin nga "GIZ-i gjerman".

Në kuadër të hetimeve, Prokuroria thotë se gjatë kontrollit të telefonit të Shehollit janë gjetur komunikime me persona që identifikohen si zyrtarë të BIA-s. Sipas dosjes, numri i Bojan Dimiçit ishte ruajtur me emra të ndryshëm, si "Gizi", "Bojana" dhe "Gazetari".

Në materialin provues përfshihen edhe dokumente të shënuara "Top Secret 2", të cilat, sipas Prokurorisë, lidhen me plane që synonin destabilizimin e Kosovës. Gjithashtu përmendet edhe një dokument i ish-shërbimit sekret serb RDB nga viti 2001, me emrin "Leptiri", që sipas Prokurorisë lidhet me përpjekjet për komprometimin e Albin Kurtit gjatë kohës kur ai vuante dënimin në burg në Nish.

Dosja përmban edhe shënime të shkruara me dorë, të cilat Prokuroria i konsideron të dhëna operative, si dhe të dhëna për transaksione financiare. Sipas aktakuzës, në vitin 2015 në llogarinë bankare të Shehollit në Komercijalna Banka janë evidentuar pagesa nga institucione serbe, mes tyre "Tanjug" dhe "Kancelarija za KiM", të cilat janë përfshirë si pjesë e materialit provues.

Përveç akuzës për spiunazh, Sheholli përballet edhe me akuzën për shantazh. Prokuroria pretendon se nga viti 2022 deri në dhjetor 2025 ai ka kërcënuar biznesmenin Arben Jetullahu me publikimin e video-incizimeve dhe materialeve që mund t'i dëmtonin reputacionin, duke e detyruar t'i jepte mbi 13 mijë euro.

Sipas aktakuzës, kërkesat për para kanë vijuar edhe pasi Sheholli ishte në paraburgim në Gjilan. Prokuroria pretendon se ai, përmes djalit dhe personave të tjerë ndërmjetësues, ka kërkuar pagesa mujore prej 700 eurosh, duke e shoqëruar kërkesën me kërcënimin për publikimin e videove.

Në aktakuzën e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Prokuroria Speciale kërkon shpalljen fajtor të Fatmir Shehollit për veprat penale për të cilat akuzohet, vazhdimin e masës së paraburgimit dhe konfiskimin e mjeteve monetare dhe pasurisë së sekuestruar.