Një alarm i rremë për bombë është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Policia e Kosovës evakuoi qytetarët dhe rrethoi zonën, ndërsa pas kontrolleve rezultoi se nuk kishte asnjë mjet apo objekt të dyshimtë.
Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, rreth orës 08:00 është marrë një njoftim për një mjet të dyshuar shpërthyes.
“Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar janë evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, tha Pllana.
Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, policia bëri të ditur se nuk u gjet asnjë mjet apo objekt i dyshimtë.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh me alarm të rremë për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Komente










