Alarm në PD, Berisha-Basha:
Po na hapin dosjet, rezistencë

Alarm në PD, Berisha-Basha:<br />Po na hapin dosjet, rezistencë
TIRANE - Propozimi i kandidatëve për anëtarë të komisionit për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe buxheti i shtetit për vitin 2017, kanë dominuar dje axhendën e mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Finalizimi i hapjes së dosjeve nëpërmjet konstituimit të komisionit dhe mosmarrëveshjet mes palëve, për përfaqësimin e një kandidati të propozuar nga PD, ka alarmuar kreu e opozitës, ish-kryeministrin, Sali Berisha dhe rrethin e tij politik.

Ndonëse ligji parashikon shumë filtra dhe siguri për të evituar zbulimin e emrave në media, edhe pse shumë ekspertët, politikanë dhe ish-krerët të SHISH, kanë pohuar se dosjet e politikanëve në nivele të larta janë zhdukur gjatë pushtetit të parë të Berishës, ky i fundit, sipas burimeve, ka shprehur dje shqetësimin për pasojat e procesit të hapjes së dosjeve në mënyrë të njëanshme.

Berisha, i mbështetur edhe nga Basha, ka kërkuar rezistencë të fortë nesër në parlament, në rrugë të tjera ligjore, madje deri tek protestat për të bllokuar veprimtarinë e komisionit, nëse mazhoranca nuk pranon kandidatin e PD si anëtar.

Në mbledhjen e grupit të PD është folur edhe për pasojat e hapjes së dosjeve, në Reformën në Drejtësi, pasi kandidatët për t’u bërë pjesë e organeve të reja dhe aktuale të drejtësisë, do t’i nënshtrohen verifikimit për lidhje me Sigurimin e Shtetit dhe me agjenturat e huaja.

Basha
Sipas burimeve, disa “xhaketa të vjetra” të Partisë Demokratike, të përgojuar për lidhje me ish-Sigurimin, e shohin me dyshim rolin e kryetarit Basha, në negociata dhe procesin e hapjes së dosjeve.

Mundësitë për zbulimin e lidhjeve të tyre në publike, i japin një arsye Bashës për t’i përjashtuar nga lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2017. Në këto kushte, përveç nervozizmit mes dy kampeve politike, ka mungesë besimi edhe vetë brenda PD.

Megjithatë, Basha, para grupit parlamentar të PD, e konsideroi të papranueshëm përjashtimin e opozitës në përzgjedhjen e dy kandidaturave që zgjidhen nga Kuvendi, si pjesë e strukturës së autoritetit të hapjes së dosjeve.

Basha është shprehur në grup se, ishte rënë dakord fillimisht që propozimet do të vinin nga dy krahët politike, por kjo dakordësi është shkelur nga maxhoranca. Po ashtu, opozita ka kërkuar që procesi i hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, duhet të shoqërohet me procesin e lustracionit, duke përjashtuar ish-bashkëpunëtorët nga Parlamenti dhe funksionet publike.

Akuzat
Dy ditë më parë, kryetari i shkarkuar i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Osman Stafa, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, tha se eksponentë të Partisë Demokratike kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas tij, në radhët e PD ka njerëz të Sigurimit dhe të krimit.

Në këtë kuadër, Stafa bëri thirrje për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. “Edhe para se të bëhesha kryetar i PD, edhe pasi u bëra kryetar i PD, kam kërkuar që PD duhet të këmbëngulë urgjentisht për hapjen e dosjeve. Për aq kohë sa PD nuk këmbëngul për hapjen e dosjeve dhe të procesit të lustracionit, PD ka një sërë bashkëpunëtorësh të ish-Sigurimit të Shtetit në radhët e saj”, tha Stafa. 

Deputetët e PD që kërkuan dosjen e Berishës
Ish-kryetari i komisionit për verifikimin e figurave, Nazif Bezhani, në librin e tij me kujtime, ka shkruar se 11 deputetë të PD, me në krye Genc Pollon, i kanë kërkuar në pranverën e vitit 1998, dosjen e Sali Berishës, duke shprehur bindjen se ka qenë spiun i Sigurimit të Shtetit.

“Por, një nga ngjarjet interesante ishte shkëputja e një fraksioni nga Partia Demokratike, me pretendimet e tyre kundër udhëheqjes së Partisë. Një nga pjesëtarët e këtij grupi, i konsideruar kryetar provizor, erdhi në zyrën time dhe më kërkoi me këmbëngulje kontrollin e figurës së kryesisë së Partisë Demokratike, e në veçanti, të Sali Berishës dhe Pjetër Arbnorit.

Ai më siguroi se të dy kanë qenë agjentë, por jo vetëm kaq. Kur unë kundërshtova për të marrë përsipër një verifikim të tillë, për shkak se nuk kishte bazë ligjore, i ashtuquajturi kryetar më kërcënoi se do t’i drejtohej për gjykim opinionit, nëpërmjet masmedias.

Nuk kaluan as dy orë, kur kryetari i grupit kthehet me një listë në dorë, të firmosur nga shokët e tij. Unë po zbrisja shkallët e Ministrisë, për të shkuar në SHISH. Dhe, pikërisht në rrugë, më dorëzon letrën me firmat e 11 anëtarëve të grupit. E futa atë në xhep dhe u nisa, duke marrë me vete edhe një ndjenjë dyshimi për ta, që më bëri kurioz dhe më detyroi të bëj verifikimin në më pak se dy orë. Nga të 11 fraksionistët, dy prej tyre dilnin me njolla serioze”, shkruan Bezhani. 

(er.nu/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin rrugor Pogradec-Lin, përplasen dy automjete

Aksident në aksin rrugor Pogradec-Lin, përplasen dy automjete