Italia është përfshirë nga një valë kërcënimesh për bomba, pasi rreth 6 mijë shkolla në të gjithë vendin kanë marrë email kërcënues këtë të mërkurë (11 nëntor). Qindra shkolla janë evakuuar, ndërsa policia ka nisur kontrollet për të verifikuar nëse ka lëndë shpërthyese. Mes kërcënimeve është edhe një mesazh i drejtuar ndaj kryeministres Giorgia Meloni, ku pretendohet se është vendosur një bombë në makinën e saj.

Sipas Ministrisë italiane të Arsimit, jo të gjitha shkollat që kanë marrë email janë evakuuar. Në disa prej tyre nxënësit dhe mësuesit janë nxjerrë jashtë si masë sigurie, ndërsa autoritetet po hetojnë origjinën e mesazheve.

“Ne kemi ardhur për t'ju shfarosur. Do të kryejmë një gjenocid ndaj italianëve”, shkruhet në emailin anonim, të nënshkruar nga një person që prezantohet si drejtues i grupit “Vilayat i Misoginistanit”.

Në mesazh pretendohet se në ndërtesat e shkollave është vendosur një pajisje shpërthyese që mund të aktivizohet në distancë. Autori i emailit ka kërcënuar edhe kryeministren Giorgia Meloni, duke shkruar: “Kemi vendosur një bombë në motorin e makinës së kryeministres suaj”.

Megjithatë, autoritetet italiane kanë bërë thirrje për qetësi. Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, deklaroi se nga përmbajtja e mesazheve rreziku real duket pothuajse inekzistent.

“Mos t'i dorëzohemi alarmit. Me shumë gjasa kemi të bëjmë me një sulm kibernetik dhe jo me një kërcënim të vërtetë”, tha Valditara, duke shtuar se numri i madh i shkollave që kanë marrë mesazhin tregon se kërcënimi nuk është i besueshëm.

Sipas tij, kërcënime të ngjashme kanë prekur ditët e fundit edhe fluturime, supermarkete dhe spitale.

“Është e qartë se ka një strategji. Është e vështirë në këtë fazë të imagjinohet se kush qëndron pas saj”, deklaroi ministri, duke theksuar se shërbimet e sigurisë po punojnë për identifikimin e autorëve.

Situata ka vënë në lëvizje edhe qeverinë italiane. Kryeministrja Giorgia Meloni thirri një mbledhje në Palazzo Chigi me ministrat dhe drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës për të diskutuar masat e sigurisë.

Në takim morrën pjesë zëvendëskryeministrat Matteo Salvini dhe Antonio Tajani, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi, ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto dhe drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike.

Meloni ka ftuar edhe drejtuesit e opozitës në një takim të enjten në orën 09:00, për t'i informuar mbi situatën dhe hetimet.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi se kërcënimet janë pjesë e një strategjie për të përhapur frikë, ndërsa ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, kërkoi kujdes, duke theksuar se është ende herët për të folur për një fushatë të koordinuar.

Alarmet nuk janë kufizuar vetëm në Itali. Kërcënime të ngjashme janë raportuar edhe në Skoci dhe Irlandën e Veriut, ku disa shkolla janë evakuuar. Raste të tilla janë regjistruar gjithashtu në Hungari dhe Serbi.

Në Irlandën e Veriut, më 19 tetor, rreth 300 shkolla morën mesazhe kërcënuese pothuajse identike, por autoritetet i klasifikuan si alarme të rreme.

Këto episode vijnë pas kërcënimeve për bomba që prekën disa fluturime në Europë më 5 dhe 6 nëntor, si dhe disa radio dhe media në Irlandë, të cilat u detyruan të evakuonin ambientet e tyre.