Të paktën 18 persona janë arrestuar në Francë, pas një vale të kërcënimeve me bomba, të cilat kanë nxitur evakuime. Pallati i Versajës, muzeu i Luvrit, si dhe disa shkolla, aeroporte dhe spitale, kanë qenë në shënjestër të kërcënimeve.
Ata që kanë qenë mbrapa këtyre akteve kanë qenë kryesisht të mitur, kanë thënë autoritetet.
Kërcënimet vijnë në kohën e rritjes së tensioneve në Francë, pasi një mësues është therur me thikë për vdekje nga një xhihadist i dyshuar javën e kaluar, në një shkollë në qytetin Arras.
Kërcënimet me bomba kanë rezultuar me evakuim të Pallatit të Versajës katër herë gjatë javës, ndërsa Muzeu i Luvrit në Paris është detyruar të evakuojë mijëra vizitorë.
Sipas ligjeve vendase, ata që bëjnë thirrje për kërcënime të rreme me bomba, mund të përballen me tri vjet burgim dhe gjobë prej 45.000 eurove.