Një kërcënim për bombë ka vënë në alarm Universitetin e Harvardit në Kembrixh të Masaçusetsit, ku është evakuuar një nga ndërtesat e kampusit dhe policia ka rrethuar zonën për të kryer kontrolle.
Kërcënimi lidhej me Memorial Hall, ndërtesa ku ndodhet edhe Teatri Sanders, një nga sallat kryesore të leksioneve të universitetit.
Harvardi dha alarmin rreth orës 08:45, duke u kërkuar studentëve dhe stafit që ndodheshin pranë ndërtesës të qëndronin brenda dhe të ndiqnin udhëzimet e autoriteteve.
Më pas ndërtesa u evakuua dhe policia ngriti një perimetër sigurie përreth saj. Policia e Universitetit të Harvardit, së bashku me Policinë e Kembrixhit, nisi kontrollin për të parë nëse kishte ndonjë pajisje shpërthyese.
Rreth orës 09:20-09:25, urdhri për të qëndruar brenda u hoq, por studentëve dhe stafit iu kërkua të vazhdonin të qëndronin larg ndërtesës dhe zonës përreth, pasi kontrollet vijonin.
Situata ndikoi edhe në aktivitetin e universitetit. Shërbimi i autobusëve të Harvardit pranë zonës u pezullua përkohësisht, ndërsa disa aktivitete mësimore u ndërprenë ose u zhvilluan online.
U evakuuan gjithashtu disa studentë që ndodheshin në konvikte dhe ambiente pranë ndërtesës.
Më vonë, universiteti njoftoi se Memorial Hall do të qëndronte i mbyllur deri në një njoftim të ri. Për arsye sigurie u mbyll përkohësisht edhe Kisha Memorial, që ndodhet brenda kampusit të Harvardit.
Deri në raportimet e fundit nuk është bërë e ditur se është gjetur ndonjë bombë apo pajisje shpërthyese.
Autoritetet nuk kanë njoftuar për arrestime dhe nuk kanë dhënë detaje se kush e ka bërë kërcënimin apo nëse ai është konsideruar i besueshëm.
Policia e Kembrixhit konfirmoi se po ndihmon Policinë e Universitetit të Harvardit në kontrolle, ndërsa hetimi drejtohet nga autoritetet e universitetit.









Komente
Komento