Alarmet false për bombë, Didi-Totozani: Kosto e Lartë për shtetin dhe qytetarët


TIRANË, 20 Mars/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Policia e Shtetit dhe Avokati i Popullit i ftojnë qytetarët shqiptarë të bashkëpunojnë me uniformat blu me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë, ndërsa u kërkojnë qytetarëve të mos abuzojnë me alarmet fals për bombë, pasi janë jo vetëm që shtojnë perceptimin e pasigurisë, por janë dhe kosto shtesë në jetën të përditshme të Policisë dhe qytetarëve.
Këtë e thanë të premten njëzërazi, Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi dhe Avokati i Popullit, Igli Totozani gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në përfundim të takimit të dy krerëve të ktyre institucioneve.
Gjatë fjalës së tij Didi theksoi se Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë për t'ju përgjigjur me angazhim maksimal të gjitha sinjalizimeve.
"Policia e Shtetit punon me kapacitet të plotë përgjatë 24-orëve. Është e gatshme në çdo orë të natës dhe të ditës të marrë masat e nevojshme për ruajtjen e rendit të sigurisë, qoftë edhe kur sinjalizimet nuk janë të vërteta. Policia e Shtetit kohët e fundit është ndeshur me shumë alarme për bomba, të cilët në të shumtën e rasteve kanë rezultuar jo të vërteta, por fatkeqësisht këto sinjalizime kanë ndikuar në një perceptim negativ të rendit dhe sigurisë në vendin tonë nga ana e qytetarëve. Policia e Shtetit nuk mund kurrësesi të neglizhoi asnjëlloi sinjalizimi, por kur këto sinjalizime janë jo të vërteta janë një kosto e tepërt emocionale, monetare dhe fizike në kurriz të qytetarëve Shqiptarë në rradhë të parë dhe Policisë së Shtetit më tej", vijoi Didi, i cili inkurajoi të gjithë qytetarët të bashëkpunojnë për çdo rast që ata dyshojnë se parashtron rrezik për sigurinë vetjake apo të të tretëve.
Kreu i Institucionit të Avokatit të Popullit, Igli Totozani vijoi në të njëjtat linja si parafolësi, ndërsa shtoi se pas se Institucioni që ai drejton ka vendosur sot një bazë bashëkpunimi me Policinë e Shtetit për të sensibilizuar edhe më tej qytetarët për të besuar tek Policia e Shtetit.
"Të gjithë jemi në dijeni që është një situatë shqetësuese me alarme falso për bombë, që destabilizojnë jetën e qytetarëve, por edhe për Policinë, që edhe pa këto elementë të tepërt, ka mjaf sfida të mëdha për tu përballur. Prandaj dhe Institucioni i Avokatit të Popullit do të jetë gjithnjë në krah të Policisë së Shtetit për të luftuar fenomenet destabilizuese, të cilat shkaktojnë panik dhe pasiguri tek qytetarët", tha Totozani, duke ripërsëritur dhe thirrjen e Kryepolicit Didi për një bashëkpunim të shëndetshëm me uniformat blu.
Së fundmi, Kryepolici Didi iu përgjigj edhe interesit të mediave, lidhur me një tensionimin e situatës në Lazarat.
Sipas Didit, "Lazarati tashmë është në duart e ligjit dhe policia ushtron dhe në atë zonë kompetencat e saj të plota, prandaj dhe në ndonjë rast ka "pakënaqësi" nga shkelësit e ligjit që kërkojnë ti kundërvihen këtij realiteti të ri. Kjo është edhe arsyeja e tensionit të dy ditëve më parë, ngjarje të cilën policia e menaxhoi më së miri", përfundoi Didi.
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kryeministri grek: Masa ndaj rrjeteve sociale, por jo bllokime të rrepta