Një fëmijë që lind sot në Shqipëri pritet të realizojë vetëm 63% të potencialit të tij të plotë kur të arrijë moshën madhore. Agjenda Kombëtare për të Drejtat e fëmijëve deri në vitin 2030, vë në dukje se kjo përqindje reflekton mungesën e kushteve të nevojshme që fëmijët të zhvillojnë plotësisht aftësitë e tyre, duke nisur nga kujdesi në vitet e para të jetës e deri te arsimi cilësor dhe mbrojtja sociale.
Sipas analizës së UNICEF, Shqipëria mbetet nën mesataren e vendeve të BE-së e cila vlerësohet në 69%.
Edhe pse renditet e 45-ta mes 167 vendeve në Indeksin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, fëmijët që jetojnë në zonat rurale, në familje të mëdha apo në komunitete të margjinalizuara ende përballen me vështirësi të mëdha.
Në arsim, sfidat lidhen me rezultatet e ulëta, nivelin e pamjaftueshëm të aftësive digjitale krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, mungesën e mësuesve në zonat e thella dhe pabarazitë në aksesin ndaj shërbimeve cilësore.
Ndërkohë, agjenda evidenton edhe nevojën për më shumë fonde të dedikuara për fëmijët, forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe zgjerimin e shërbimeve të specializuara në nivel vendor.
Për herë të parë, siguria digjitale zë një vend të rëndësishëm në agjendë. Deri në vitin 2030 synohet forcimi i mbrojtjes së fëmijëve nga bullizmi kibernetik, shfrytëzimi seksual online dhe rreziqet e tjera të internetit, përmes edukimit, mekanizmave të raportimit dhe përdorimit të sigurt të inteligjencës artificiale në arsim.
Agjenda synon rritjen e kapaciteteve të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit për hetimin e rasteve të abuzimit seksual online, duke përfshirë përmirësimin e Laboratorit Shkencor të Policisë për analizimin e evidencave digjitale.
Kostoja për zbatimin e objektivave të Agjendës Kombëtare llogaritet në afro 2 miliardë lekësh, nga të cilat afro 1.3 miliardë do të duhet të përballohen nga buxheti i shtetit, 340 milion nga fondet e donatorëve të ndryshëm, ndërsa mbeten të paqarta financimet për mbulimin e pjesës së mbetur.
Komente









